Miratohet Projektligji për Kryeqytetin, garantohet 4 % më shumë buxhet

Prishtinë | 27 Tet 2017 | 11:27 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, në mbledhjen e sotme, ka miratuar Projektligjin për Kryeqytetin.

Miratimi i këtij Projektligji u parapri me një diskutim mes deputetëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Pushtetit Lokal për formën e tij dhe nevojën që ligjet ekzistuese të plotësohen me qëllimin e përshtatjes së Ligjit të Prishtinës me Ligjin për Pushtetin Lokal.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi, tha se karakteristikë e Projektligjit është se përcaktohet kompetenca shtesë për kryeqytetin dhe buxhet shtesë, raporton Ekonomia Online.

“Kompetencat shtesë përfshijnë siguri publike , mbrojtje shëndetësore, themelimin dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike që shërbejnë për kryeqytetin. Zbatimi i projektligjit për kryeqytetit parasheh implikime për buxhetin e Kosovës”.

Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së, Rozafa Ukimeraj, tha se gjatë punës së grupit punues në vazhdimësi kanë pasur vëmendjen që të ruajnë sistemin unik të qeverisjes lokale.

“Ne kur të krijojmë ligjin për kryeqytetin është se do t’i japim disa detyra kryeqytetit të cilat nuk u kanë komunat e tjera. Sa i përket modeleve puna e grupit punues është mbështetur në disa modele në Lubjanës, Zagrebit etj”.

Ajo tha se me këtë ligj, kryeqytetit do t’i jepet 4.1 për qind më shumë grante se sa komunave të tjera.

Kryetari i komisionit, Nait Hasani, tha se do të ishte mirë që për këtë projektligj të kishte ndonjë model të projektligjeve të ngjashme për kryeqytetin.

Ai tha se Ligji për Prishtinën del nga Ligji për Pushtetin Lokal dhe si i tillë duhet të bëhet çfarë është e nevojshme për përshtatjen e ligjeve.

Shqipe Pantina, deputete e VV-së, e mbështeti Projektligjin për Prishtinën. Ajo propozoi që ky projektligji t’i kalohet Kuvendit për lexim të parë e më pas të organizohet një dëgjim publik në mënyrë që të merren sugjerimet e nevojshme e të plotësohen më pastaj.

“Për mua është e pranueshme granti shtesë. Unë kisha kërkuar që për një moment të harrojmë fushatën zgjedhore, të mendojmë se si e duam kryeqytetin dhe çka presim nga kryeqyteti”.

Xhevahire Izmaku, deputetet e PDK-së, tha se puna për hartimin e Ligjit për Prishtinën nuk ka me qenë e lehtë, pasi shumë ligje është dashur të ndryshohen.

Milaim Zeka, deputet i Nismës për Kosovë, tha se është e turpshme për qeverisjet e kaluara që për 17 vjet me rend e kanë dhunuar kryeqytetin dhe nuk e kanë bërë këtë ligj.

“Ky është një lajm tepër i gëzueshëm për qytetarët e Prishtinës edhe për katunarët që kemi ardhur në Prishtinë”, u shpreh Zeka i njohur për stilin e tij hokatar.

“Është e turpshme për qeverisjet e kaluara që për 17 vite me rend e kanë dhunuar kryeqytetin dhe nuk e kanë bërë këtë ligj. Me aprovimin e këtij ligji që do të ketë mbështetjen absolute të Nismës ne do të krijojmë kushte ta reja për qytetarët, për Policinë e Kosovës dhe shpresojmë të rritet shkalla e shërbimeve shëndetësore”.

Të ngjashme