Miratohet Projektligji për tatimin në pronën e paluajtshme

Prishtinë | 04 Maj 2017 | 10:01 | Nga Jehona Zhuniqi

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar shqyrtimin e Projektligjit për tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka thënë se ka arsye të fortë dhe praktike për të forcuar tatimin në pronë pasi ky tatim është i drejtë dhe i parashikueshëm dhe është vështirë për t’u shmangur, raporton Ekonomia Online.

Ai ka shtuar se ka shumë studime që tregojnë se vendet që i kushtojnë rëndësi tatimit në pronë kanë tendencë më të madhe të rritjes.

“Tatimi në pronë është burim i qëndrueshëm i financave të pushtetit lokal. Programi është i paraparë me programin e Qeverisë 2015-2018″, ka thëne ai.

Për këtë projektligj ka folur edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se është njëri prej projektligjeve më të rëndësishme që mund t’i miratojnë deri tash, sepse rregullon një fushë e cila nuk ka qenë e rregulluar deri më tani.

“Unë do të fokusohem të pjesa që lidhet me pronën e paluajtshme që përdoren për bujqësi, më saktësisht te ato njësi që përdoren për prodhimtarinë primare në veçanti. Sipas këtij propozimi ato do të tatohen edhe 40 për qind të vlerës së vlerësuar, përderisa në fazat e mëhershme kemi diskutuar për mundësinë e përjashtimit të plotë të pagesës së çfarëdo tatimit”, ka thënë ai.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa ka thënë se kjo ka të bëjë me atë që t’i nxisin pronarët e tokave që ata vet t’i punojnë tokat, “ose t’i punojë dikush tjetër tokat e tyre, por ato të jenë toka të punueshme”.

Të ngjashme