Miratohet propozimi për kompensim financiar të delegatëve të legjislaturës së vitit 1990

Prishtinë | 21 Sht 2020 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e Qeverisë sot është miratuar propozimi i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, për kompensim financiar për delegatët e legjislaturës së vitit 1990.

Në arsyetimin e tij Reçica tha se janë këta delegatë të cilët kanë marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik dhe 7 shtator të vitit 1990 dhe kanë vazhduar mbajtjen e mbledhjeve deri më 24 maj 1992.

“Nga ky vendim 105 deputetë do të përfitojnë̈ proporcionalisht shumën prej 2.733 euro. Për ata deputetë që nuk janë në jetë, kompensimin e plotë financiar të njëhershëm, do e gëzojnë bashkëshortja/e veja e deputetit, apo fëmija deri në moshën 18 vjeçare, ndërsa nëse janë në studime deri në moshën 26 vjeçare”, thuhet nga MPMS-ja. “Me këtë vendim të sotëm, qeveria e Kosovës, përmbushi edhe një obligim ndaj atyre që në kohë të vështira patën guximin intelektual e kombëtar që të jenë krah me popullin duke shpallur Kosovën Republikë dhe duke nxjerrur Kushtetutën e Kaçanikut, akte këto të cilat i paraprinë zhvillimeve të mëdha në vitet e mëpasme në vendin tonë”.

Të ngjashme