Mirëpriten sanksionet e Amerikës për të korruptuarit

Prishtinë | 18 Maj 2019 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Pas shpërfilljeve të qeverisë “Haradinaj” ndaj thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për largim nga pozitat e larta zyrtare të individëve të dënuar për krime lufte, nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës zyrtare, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka marrë një tjetër veprim.

Të enjten kjo ambasadë ka vendosur që këta persona, të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit, të mos marrin viza për të udhëtuar në Amerikë.

Ambasada ka përmendur individët e përfshirë në rastet “Pronto”, rastin e vizave italiane, ikjen nga burgu i Dubravës, rastin “Toka” dhe “Apex”-in, si dhe në raste të tjera të ngjashme. Ambasada Amerikane në Prishtinë ka theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë një sistem drejtësie që mban individët përgjegjës për veprimet e tyre korruptuese, shkruan Gazeta “Zëri”.

“Lidhur me këtë Ambasada e SHBA-së është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos u lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes ose turizëm”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada.

Mirëpo edhe këtë vendim të Ambasadës Qeveria e Kosovës ka vendosur ta shpërfillë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar se Qeveria nuk i komenton veprimet e tilla, pasi që janë politikë e vet shteteve përkatëse.

Analistët politikë në vend thonë se edhe ambasadat tjera duhet të veprojnë njësoj, duke izoluar tërësisht politikanët e korruptuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme