Mirëpritet kryesimi i Këshillit të BE-së nga Çekia, krerët e shtetit i kërkojnë ndihmë për liberalizim

Prishtinë | 01 Kor 2022 | 12:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Udhëheqësi i Ambasadës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, ka prezantuar përparësitë e Çekisë gjatë kryesimit të Këshillit të BE-së. Në prezantimin që e bëri para krerëve të shtetit, Bilek foli për prioritetet që i ka shteti i tij, duke mos lënë anash liberalizimin e vizave për Kosovën, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, Çekia do të mbajë si prioritet një varg çështjesh që kanë përshkuar edhe kryesimin francez, e që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë dhe sigurinë e furnizimit me energji.

Sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën, Bilek tha se janë të gatshëm që këtë vendim ta vendosin në rend të ditës, sapo të vërtetohet se ka gatishmëri nga vendet anëtare për heqjen e vizave.

“Kur e filluam mandatin e parë, u përballëm me krizën e pandemisë. Tani po përballemi përsëri me një krizë, luftën në Ukrainë. Lufta në Ukrainë ka ndikuar shumë në planet tona të ardhshme. Pushtimi rus në këtë shtet ka ndikuar shume në gjeopolitikat e BE-së. Në të njëjtën kohe kjo luftë ka treguar se evropianët veprojnë në mënyrë të shpejt, efektive dhe të bashkuar. Edhe liberalizimi i vizave për Kosovën është në agjendat e larta të Bashkimit Evropian”, tha Bilek.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se këtë vit Kosova do të kandidojë për statutin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Kosova është e këmbëngulur për integrimin evropian. Agjenda evropiane është baza e gjithë veprimeve dhe ligjeve tona. Kosova do të kandidojë për statutin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe jemi të lumtur që kjo do të ndodhë gjatë presidencës çeke. Edhe njëherë, Kosova është e përkushtuar qe të qëndrojë përkrah BE-së në këtë kohë krize”, tha e para e shtetit.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se BE-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në plotësimin e kritereve për liberalizim të vizave.

“BE-ja ka pasur shumë kriza por çdo herë ka menaxhuar të dalë edhe më e fortë. BE-ja ka konfirmuar disa herë rëndësinë e Ballkanit Perëndimor, duke mos e lënë anash as Kosovën. BE-ja nuk është e kompletuar pa Ballkanin Perëndimor. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për viza.  BE-ja do ta mbështesë Kosovën”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova ka dëshmuar se është shtet proevropian duke iu bashkuar shteteve që ka vendosur sanksione ndaj shtetit rus e duke i ndihmuar refugjatët ukrainas.

“Qytetarët e Kosovës shpresojnë që presidenca çeke do ta bëjë të mundur liberalizimin e vizave dhe t’i japë fund izolimit të kosovarëve. Jemi vendi i vetëm qe kemi plotësuar kriteret dhe nuk e kemi marrë liberalizimin e vizave”, tha Kurti.

Të ngjashme