Mirëpritet marrja e presidencës së BE-së nga Sllovenia – Ekspertët: S’do të ketë ndryshime drastike

Prishtinë | 03 Kor 2021 | 07:54 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Marrja e udhëheqjes së presidencës së Bashkimi Evropian për  gjashtë muaj nga Sllovenia, është lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, por sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, kjo nuk do të sjell ndryshime drastike për çështjen e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, tha se Sllovenia mund të lobojë për liberalizimin e vizave, por ai shprehet skeptik se mund të ketë progres në këtë çështje.

Sipas Shashës, shteti slloven do të jetë i fokusuar për të ofruar çfarëdo mbështetje që do të nevojitet për dialogun Kosovë-Serbi.

“Atëherë presidenca e radhës e BE-së që do të jetë presidenca nga ana e Sllovenisë është lajm i mirë për procesin integrues të rajonit pasi presidencën do të ketë një vend fqinjë i cili do të shtyjë përpara çështjen e zgjerimit brenda Bashkimit Evropian. Në këtë kuptim presim që gjatë gjashtë muajve të ardhshëm të ketë progres sa përket hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. E dyta, për ne si Kosovë presim që Sllovenia si mbështetëse të shtyjë përpara dhe të loboj në çështjen e liberalizimit të vizave, pra që më në fund brenda gjashtë muajve të bëhet liberalizmi i vizave”.

“Sidoqoftë për këtë çështje duhet të jemi skeptik, pra nuk duhet pritur që gjatë gjashtë muajve te ardhshëm do të ketë ndonjë progres të ndjeshëm, pra fokusi edhe mbështetja e Sllovenisë në këtë drejtim është diçka e mirëseardhur. E treta, sa i përket dialogut, mbështetja e Sllovenisë do të koncentrohet në mbështetjen dhe ofrimin e çfarëdo ndihme të mundshme përfaqësuesit të lartë, Borrell dhe Lajçak për të avancuar dialogut në këto gjashtë muaj, pasi ka një afërsi me Ballkanit”. 

Po ashtu edhe njohësi i politikave të jashtme, Arbnor Sadiku, thotë se është lajm i mirë marrja e presidencës nga Sllovenia, pasi njeh më mirë rrethanat në Ballkanin Perëndimor.

“Është një lajm i mirë në kuptimin që një vend që ka qenë vend i ish-Jugosllavisë, tani është një vend që është integruar në BE dhe që merr presidencën e BE-së, kuptimin e saj që mund t’i ndihmojë Kosovës në përshpejtimin e negociatave për liberalizim të vizave si dhe vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi me hapa të përshpejtuar se deri më tani”.

Sadiku thotë se kjo do të sjell lehtësira në përshpejtimin e negociatave për liberalizim të vizave dhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.


“Njohja e rrethanave në kuptimin që është një vend ballkanit Sllovenia është lajm i mirë pasi e njeh shumë mirë kontekstin e luftërave në ish-Jugosllavi dhe realisht mos përfundimit e pavarësisë së Kosovës në kuptimin e njohjes së saj nga organizatat ndërkombëtare, pra të qenit realisht presidenca nga shteti slloven sigurisht që mund të ketë lehtësira në kuptimin e krijimit të kushteve më të mira për dialog dhe në kuptimin e hapjes së liberalizimit të vizave pasi dihet që kriteret tashmë i ka përfunduar, vetëm mbetët për shkak të kontekstit politikë, ku më parë ka qenë i ndërlidhur me çështjen e demarkacionit, tani është me arritjen e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë”. 

Sllovenia parasheh mbajtjen e një samiti në muajin tetor në përpjekje për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Anzhe Logar gjatë paraqitjes së përparësive të Presidencës sllovene ka thënë se “e ardhmja evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vazhdimi i procesit të zgjerimit duhet të bëhen interesi strategjik i Bashkimit Evropian”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme