Misionet diplomatike e konsullore nuk kanë arsyetuar 331 mijë euro

Prishtinë | 03 Kor 2018 | 08:11 | Nga

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) në fund të vitit 2017 ka pasur një bilanc të shpenzimeve ose avancave të pambyllur në misionet diplomatike dhe konsullore në vlerë prej 331 mijë e 700 eurosh.

Ky bilanc për vitet paraprake, sipas raportit, ka qenë 211 mijë e 107 euro, ndërkohë që për vitin e kaluar ka qenë 120 mijë e 593 euro. Auditori ka dhënë edhe arsyet që kanë sjellë deri tek ky bilanc, shkruan sot Koha Ditore.

“Duke iu referuar shënimeve të bashkëngjitura në pasqyrat financiare vjetore, ky bilanc vjen si rezultat i thyerjeve midis hyrjeve dhe daljeve të paregjistruara në misionet diplomatike të Kosovës, ku përfshihen shpenzime të paregjistruara, të hyra dhe rimbursime të paregjistruara, diferenca për shkak të kurseve të këmbimit, gabime në regjistrime etj.”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas raportit, pas angazhimeve për barazime financiare, MPJ-ja kishte identifikuar disa nga shkaqet e kësaj gjendjeje të krijuar, por se akoma nuk ka arritur që të ketë një evidencë të plotë për këtë bilanc të pambyllur.

Kjo është çështja e cila në raport është theksuar në mesin e 16 çështjeve të tjera që auditori ka gjetur në MPJ. “Theksimi i çështjes pasqyron dobësitë në menaxhimin e shpenzimeve të misioneve diplomatike dhe konsullore, si dhe dështimin në mbylljen/arsyetimin e shpenzimeve të viteve paraprake”, thuhet në raport.

Ministrit i është kërkuar që të analizojë arsyet për theksimin e kësaj çështjeje dhe t’i identifikojë veprimet që kërkohen për t’i evituar dobësitë në fushën e pagave dhe në menaxhimin e shpenzimeve të misioneve diplomatike të Kosovës.

Të ngjashme