Misioni i Vëzhgimit i BE-së vlerëson se raundi i dytë i zgjedhjeve është menaxhuar mirë

Prishtinë | 16 Nën 2021 | 12:35 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Lukas Mandle, tha se procesi zgjedhor më 14 nëntor është menaxhuar mirë, raporton Ekonomia Online.

Mandle theksoi se edhe në këtë fushatë zgjedhore ka pasur mungesë të transparencës së financimit nga ana e partive politike.

Zyrtari i BE-së po e vlerëson sjelljen e kandidatëve që nuk arritën të fitojnë, ku menjëherë pas rezultateve preliminare uruan kundërkandidatët e tyre për fitore.

“Të dielën qytetarët e Kosovës votuan në 21 komuna. Dua të përgëzoj kandidatët që nuk fituan që u uruan fitoren kundërkandidatëve të tyre, ky qëndrim i matur meriton respekt. Misioni ynë do të vazhdojë vëzhgimin në QNR. Në ditën e zgjedhjeve 269 vendvotime kanë vizituare, votimi dhe numërimi u vlerësuar si shumë i mirë. Fushata ishte dinamike, edhe pse toni ishte pak i ashpër, në mungesë të ndëshkimeve, shumë kandidatë filluan të kërkojnë votën para nisjes së fushatës. Po ashtu edhe Qeveria ishte e përfshirë. Mungesa e transparencës për financim vazhdoi edhe këtë fushatë. Mediet i janë përmbajtur rregullat. Për raundin e dytë u paraqitën 6 ankesa gjatë fushatës, dhe 24 për shkelje të heshtjes zgjedhore. Shumë vota u rinumëruar kjo vënë në pah ndryshimin e dizajnit të fletëvotimit. Procesi zgjedhor shkoi mirë. Pas një kohe do të kthehem me një raport gjithëpërfshirës për zgjedhjet”.

Ndërsa, Konrad Olszewski, zëvendës udhëheqës i misionit, vlerësoi bashkëpunimin me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Që nga arritja këtu ne kemi përfituar nga një bashkëpunim shumë i mirë me stafin e KQZ-së. Ne e vlerësojmë këtë bashkëpunim”.

Përmbledhja nga misioni për mbarëvajtjen e zgjedhjeve:

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave i datës 14 nëntor në 21 nga 38 komunat e Kosovës ishte konkurrues dhe i administruar mirë. Votimi dhe numërimi u vlerësuan pozitivisht nga vëzhguesit e BE-së. Fushata ishte e qetë, por me ton më të ashpër se sa në raundin e parë dhe me raste të përmbajtjeve mashtruese që përhapeshin në internet. Kufizimi pesëditor i periudhës zyrtare të fushatës u shpërfill nga shumica e kandidatëve.

Në përgjithësi, vëzhguesit e EU EOM-së e vlerësuan votimin si shumë të mirë ose të mirë në 99 për qind të vendvotimeve të vizituara, në të 21 komunat, dhe numërimin si të mirë dhe shumë të mirë në të gjitha vendvotimet e vizituara edhe pse kishte disa vështirësi me përputhshmërinë e fletëvotimeve në rreth një të tretën e vendvotime të vëzhguara.

Tabelimi i rezultateve të raundit të parë, edhe pse i plotë dhe transparent, vuri në pah dobësi të theksuara në numërim dhe plotësimin e formularëve të rezultateve. Rezultatet e gati një mijë vendvotimeve në zgjedhjet për kryetar komune dhe kuvende komunale u desh të rinumëroheshin, që tregon nevojën për një rishikim gjithëpërfshirës të dizajnit të fletëvotimeve, fletëve llogaritëse për votat e kandidatëve dhe formularëve të rezultateve, si dhe për trajnimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve (KVV). Para raundit të dytë të zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) zëvendësoi 806 trupa zgjedhorë, të cilët kishin performuar dobët gjatë numërimit dhe plotësimit të formularëve të rezultateve.

Në mungesë të ndëshkimeve për zhvillim të fushatës jashtë periudhës zyrtare pesëditore, shumica e kandidatëve filluan të kërkonin votën shumë kohë para se të niste fushata zyrtare. Në tubimet e kandidatëve morën pjesë liderët e partive kryesore, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tij, ndërsa kandidatët e LVV-së shpesh e portretizuan veten si garantues të projekteve të financuara nga buxheti qendror. Madje, mes dy raundeve, qeveria shpalli një rritje të përkohshme të përfitimeve sociale, gjë që çoi në akuza të opozitës për blerje indirekte të votës.

Mungesa e madhe e transparencës në lidhje me financimin e fushatave të kandidatëve vazhdoi edhe në raundin e dytë. Për shkak të zbatimit të dobët të rregullave për financimin e fushatës, Kuvendi i Kosovës nuk është në gjendje të garantojë auditimin me kohë të raporteve të paraqitura dhe KQZ-ja nuk e mbështeti sa duhet zbatimin e rregulloreve në fuqi.

Mediat publike ofruan mbulim të balancuar të lajmeve dhe u përpoqën të organizonin debate me kandidatët për të 21 komunat, por shumica e kandidatëve zgjodhën të mos merrnin pjesë. Mediat private intervistuan rregullisht kandidatët dhe ia dolën të zhvillojnë disa debate. Në kundërshtim me ligjin, dy kanale televizive publikuan sondazhe jo të besueshme pa u ndëshkuar nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM). Duke respektuar rregulloret, mediat transmetuese u përmbajtën nga transmetimi i materialeve politike me pagesë jashtë periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore.

Derisa kandidatët ndanin informacione të dobishme përmes platformave online, faqe jotransparente të Facebook-ut u përdorën për të përhapur përmbajtje mashtruese që pengonin mundësinë e votuesve për të formuar opinionet pa ndërhyrje manipuluese. Kandidatët në përgjithësi përdorën reklama për të promovuar platformat e tyre të fushatës, por u përdorën shumë edhe reklamat e palëve të treta për të diskredituar konkurrentët, përfshirë edhe me akuza personale.

Procesi i ankesave dhe parashtresave pas raundit të parë në përgjithësi u zhvillua në mënyrë transparente dhe të paanshme. Përkundër afatit të shkurtër prej 72 orësh për shqyrtim si dhe kufizimeve të burimeve teknike dhe njerëzore, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i gjykoi të gjitha ankesat me kohë. Vetëm një vendim i PZAP-së – për të përsëritur zgjedhjet në një komunë – ishte refuzuar nga Gjykata Supreme (GJS). Për raundin e dytë, gjashtë ankesa u parashtruan në PZAP lidhur me shkeljen e rregullave të fushatës dhe 24 për shkelje të periudhës së heshtjes zgjedhore dhe parregullsive gjatë ditës së zgjedhjeve.

Të ngjashme