Mjekiqi: Politika e jashtme pasive, regresi në favor të Serbisë

Prishtinë | 23 Sht 2022 | 11:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shqipe Mjekiqi, ka kritikuar Qeverinë për pasivitet në politikën e jashtme.

Mjekiqi në një konferencë për medie ka thënë se përveç që s’ka njohje dhe anëtarësim në organizata të huaja, shqetësuese është edhe mungesa e informacionit, raporton Ekonomia Online.

“Ajo çfarë e karakterizon politikën e jashtme është pasiviteti qysh nga fillimi i mandatit të kësaj Qeverie e deri më sot. Kam dëgjuare që MPJ-ja ka bërë një strategji por ajo që po e shohim është që edhe në rastet kur ka aplikime për anëtarësim në organizata të huaja, po shohim që nuk ka koordinim të mirëfilltë”.

Ajo ka folur edhe për rregulloren për organizimin e brendshëm e cila sipas saj, është në disharmoni me ligjin për Shërbimin e jashtëm.

Ajo shtoi se regresi në politikën e jashtme i bënë favor Serbisë, raporton EO.

“Me këtë rregullore ministria ka shuar drejtorinë e përgjithshme dhe të gjitha kompetencat i ka lënë te sekretari. Veprimet e ministrisë së Punëve të Jashtme përveç që janë të kundërligjshme kanë edhe obligime financiare”.

“LDK është në favor të shërbimit të jashtëm dhe jo regresit. Me veprimet e saj MPJ-ja jo vetëm që nuk e ka përfillur ligjin por as planin e qeverisë së vet. Regresi në politikën e jashtme i bënë favor Serbisë”.

Fjalimi i plotë:

Kemi thirrur këtë konferencë për shtyp për të shprehur shqetësimet tona lidhur me shkarkimet dhe emërimet e paligjshme për pjesëtarë të shërbimit diplomatik nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe disa zhvillime tjera në kuadër të kompetencave të kësaj Ministrie të cilat janë rezultat i një politike të jashtme shumë pasive karshi fushatës aktive të Serbisë për çnjohje dhe mos-anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në emër të reformave në shërbimin e jashtëm, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka zgjedhur të veprojë krye në vete e në kundërshtim me ligjin, në shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të shërbimit të jashtëm. I tillë është rasti me shpalljen e konkursit të datës 1 korrik 2022 për rekrutimin e 32 zyrtarëve në misionet diplomatike, të cilin konkurs Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) para tre ditëve e ka shpallur të jashtëligjshëm dhe ka kërkuar nga MPJD që të njëjtin ta anulojë.

Në mënyrën si e ka shpallur këtë konkurs, MPJD ka bërë shkelje të Ligjit për Zyrtarë Publikë që përcakton detyrat dhe kompetencat në raport me nëpunësit profesionalë të shërbimit të jashtëm si nëpunës civilë me status të veçantë. Më saktësisht, Ministria ka shkelur Nenin 38 që përcakton lëvizjet e stafit brenda kategorisë, dhe Nenin 17 duke mos-publikuar konkursin në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBJ).

Shkelja e disa rregullave ligjore e anashkalimi i të tjerave fatkeqësisht po bëhet normë nga ana e Ministrisë, e kjo nuk kalon pa pasoja. Rregullorja Nr. 01/2022 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës është në disharmoni me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Me këtë rregullore, Ministria ka bërë shkelje flagrante duke shuar në mënyrë arbitrare Drejtorinë e Përgjithshme dhe duke i kaluar detyrat dhe përgjegjësitë nga Drejtori i Përgjithshëm tek Sekretari i Përgjithshëm.

Sipas Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, Drejtoria e Përgjithshme ‘bashkërendon komunikimin e përhershëm të Ministrisë me misionet e shërbimit të jashtëm, është përgjegjëse për hartimin dhe realizimin e synimeve në veprimtarinë̈ e shërbimit me jashtë, si dhe udhëheqë Zyrat përkatëse brenda Ministrisë’. Me shuarjen arbitrare të Drejtorisë së Përgjithshme, Ministria ka cenuar rëndë funksionimin e shërbimit të jashtëm. Kjo bashkë me faktin që disa Ambasada ende mbeten pa Ambasadorë e pa staf edhe 1.5 vjet pas marrjes së mandatit qeveritar, tregon ‘seriozitetin’ e Qeverisë karshi politikës së jashtme.

Ndërkaq, veprimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme në raport me shërbimin e jashtëm përveç që janë të kundërligjshme kanë edhe implikime financiare. Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 2 shtator 2022, që i jep të drejtën diplomatit të tërhequr në mënyrë të jashtëligjshme nga Ministrja Gërvalla, do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës 20.000 euro. Muaj më parë, Ministria u detyrua të paguajë 13,000 euro të tjerë duke zgjedhur të mos publikojë shpenzimet e një diplomati tjetër. E përgjegjësia për këto veprime nuk mund të jetë kolektive.

Lidhja Demokratike e Kosovës është në favor të reformave e jo regresit në shërbimin e jashtëm. Konsiderojmë se kjo reformë duhet të bëhet konform ligjeve, si dhe duke ndjekur një strategji të mirëfilltë pasi të jetë bërë një analizë e thellë e transparente e gjendjes në shërbimin e jashtëm. Me veprimet e saj, Ministria e Punëve të Jashtme dhe diasporës jo vetëm që nuk përfill ligjin por, nuk përfill as Planin e Qeverisë së vet.

Sot kur institucionet e Qeverisë së Kosovës do të duhej punuar pa ndalur në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj, regresi në politikën e jashtme i bën favor Serbisë në fushatën e saj të riaktivizuar të propagandës për çnjohje dhe mos-antarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pra, veprimet e paligjshme në shërbimin e jashtëm pengojnë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Derisa Serbia lobon aktivisht në vendet afrikane për çnjohje dhe mos-anëtarësim, Ambasada jonë e vetme në Kontinentin Afrikan (Senegal) mbetet pa Ambasador. Sot, Ministria e Punëve të Jashtme do të duhej të ishte më aktive se kurrë. Por, edhe pas 1.5 vjetëve të mandatit qeveritar asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme që sa më parë të deklarohet dhe të japë përgjegjësi për veprimet që kanë rënduar shërbimin e jashtëm.


Të ngjashme