Mogherini: Dialogu Thaçi-Vuçiq, i vështirë por inkurajues

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 14:14 | Nga

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se rrethi i fundit i bisedimeve mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, ka qenë “i vështirë, por inkurajues”.

“Dje kemi pasur një takim shumë të mirë midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili u zhvillua në mënyrë inkurajuese, shumë të vështirë, por inkurajuese”, u tha Mogherini gazetarëve teksa hynte në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Ajo tha se “Ballkanit Perëndimor i duhet tani që Bashkimi Evropian të jetë i qëndrueshëm dhe të përmbushë atë që ka premtuar”.

Mogherini tha se në Ballkanin Perëndimor është bërë “përparim i dukshëm” dhe vuri theksin mbi marrëveshjen midis Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë.

Mogherini tha se pret që ministrat e Jashtëm të BE-së, në takimin e nesërm, të pranojnë rekomandimet e Komisionit Evropian për të nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme