Mogherini: Do ta thërras takimin për dialog në momentin që hiqet taksa

Prishtinë | 12 Mar 2019 | 23:06 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini përsëriti nga selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku ndodhej për një seancë raportimi përpara Këshillit të Sigurimit, thirrjet drejtuar Kosovës për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

“Më lejoni të falënderoj secilin prej jush për qasjen konstruktive të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ndaj dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Për rifillimin e plotë të bisedimeve, tarifat e vendosura nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe duhet hequr. Ditën kur kjo do të ndodhë, do të thërras menjëherë një takim të ri për dialogun, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme, e cila do të adresojë të gjitha çështjet e jashtëzakonshme dhe do të sjellin normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ndaj, është në dorën e tyre gjetja e një marrëveshjeje që do të ishte e pranueshme dhe e përshtatshme për të dyja palët. Njëkohësisht, marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe duhet të ketë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Mogherini.

Të ngjashme