Molliqaj jep dorëheqje nga pozita e Sekretarit Organizativ

Prishtinë | 19 Kor 2017 | 14:26 | Nga

Dardan Molliqaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e Sekretarit Organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tha se këtë vendim e mori në konsultim më kryetarin e tij, Visar Ymeri.

Më poshtë është shkrimi i plotë i Molliqajt me të gjitha sqarimet.

Letra e dorëheqjes sime nga posti i Sekretarit Organizativ të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të dashur aktivistë të Lëvizjes,

Fitorja e jashtëzakonshme e Lëvizjes tonë na ka vënë para vendimeve të reja. Prandaj, në konsultim me Kryetarin e Lëvizjes, z. Visar Ymeri si dhe strukturat tona, vendosa të jap dorëheqje nga pozicioni i Sekretarit Organizativ të Lëvizjes.

Kur unë u zgjodha Sekretar Organizativ, pas zgjedhjeve të vitit 2010, kishim vullnet të mahnitshëm, por organizim jo të fortë. Kishim punë të palodhshme, por jo edhe strukturim të gjerë. Prandaj pas zgjedhjeve të 2010-tës e gjithë vëmendja e Lëvizjes u kthye kah organizimi dhe strukturimi. U shkruan dokumentet themelore të organizimit, si Statuti dhe rregulloret si dhe u organizuan zgjedhjet e brendshme më demokratike në Kosovë.

Janë të paharrueshme diskutimet e gjata me aktivistë mbi organizimin; puna e përditshme për strukturim të rrjetit tonë nëpër fshatra e lagje qytetesh; ëndërrimet tona të përbashkëta për një subjekt të fortë që do të jetë shembull për lëvizjet përparimtare në rajon dhe më gjerë.

Të dashur aktivistë,

Së bashku me popullin e krijuam këtë organizatë. Lëvizjen më progresive në rajon. Subjektin më të fuqishëm në Kosovë që u kalit në protestë e sakrificë. Që i bëri ballë sulmeve fizike dhe propagandistike, të pamëshirshme, të pushtetit. Lëvizjen e mbrujtur nga vetëmohimi i pakursyer i aktivistëve.

Koncepti jonë i drejtë, rrethanat në të cilat po kalon Kosova, puna e palodhshme e aktivistëve e strukturuar në një organizatë të fuqishme, më në fund u kurorëzuan me fitoren e Lëvizjes tonë dhe e përcaktuan të ardhmen e Kosovës. Të ardhmen ku VETËVENDOSJE! do të jetë faktori kyç.
Kjo e ardhme, e afërt dhe e largët, është e ardhme e vetëvendosjes së popullit të Kosovës. Është e ardhme e mirëqenies dhe e përparimit. Por është e ardhme që na jep detyra të reja.

Shumë shpejt qytetarët do t’i gëzohen zgjedhjeve lokale. Do t’i gëzohen ndryshimeve në komunat e tyre. Fitores së pandalshme të VETËVENDOSJE!-s gjithandej. Shumë shpejt qytetarët do t’i gëzohen politikave të qarta për përmirësimin e jetës së tyre, që do t’i zhvillojë Lëvizja jonë. Politikave që do ta ndryshojnë përgjithmonë vendin tonë.

Këto do të jenë sfidat tona të reja. Prandaj këtu edhe do të përqendrohet kontributi im tash e tutje. Organizata jonë është bërë e pacënueshme tashmë. Kurse mbështetja masive që ma keni dhënë në zgjedhjet e fundit më obligon të angazhohem në fushat e reja ku do të përqendrohen betejat e Lëvizjes.

Të dashur aktivistë,

Puna e paharrueshme me ju për 7 vite; qëndrueshmëria juaj që komplekson edhe njerëzit më të fortë; vetëmohimi juaj që dekurajon çdo pushtet kriminal e të dhunshëm; solidariteti dhe përkushtimi i pamasë; do të jenë për mua mësimet më të rëndësishme në jetën time.

Ju falenderoj nga zemra për angazhimin e pakursyer. Ju falenderoj për mbështetjen e vazhdueshme. Për gatishmërinë që të punojmë së bashku edhe atëherë kur s’jemi pajtuar për gjithçka. Për gatishmërinë që të falim njëri-tjetrin sa herë që hidhërimet personale e pengonin punën tonë të përbashkët.

E falenderoj secilin prej jush e në veçanti kryetarin tonë Visar Ymerin, pa drejtimin dhe mbështetjen e të cilit puna jonë do të kishte shumë më pak ndikim.

Të ngjashme