Molliqaj ka shumë kritika për Kurtin rreth menaxhimit të pandemisë e protestat

Prishtinë | 27 Maj 2020 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se Vetëvendosje me organizimin e protestave po përdorë standarde të dyfishta në kundërshtim me masat kufizuese që i ka vendosur vet.

“Vetëvendosje po planifikon të mbaje proteste në prag të vendimit që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese. Shumë mirë që po e shfrytëzojnë këtë të drejtë demokratike. Tash, pasi haptazi po e shfaqin standardin e dyfishtë duke organizuar protesta, por në kundërshtim me masat kufizuese të cilat i kanë vendosur vet, ka ardhur koha që këto masa të hiqen plotësisht”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, rruga që ka zgjedhur qeveria për t’u mbrojtur nga pandemia është dritëshkurtër dhe se halli i vetëm i tyre është dukja para opinionit publik.

“Masat e rrepta kufizuese, të paktën do të duhej të shoqëroheshin me sa më shumë testime. E kundërta ka ndodhur, masat kufizuese, edhe pse të gabuara në rreptësinë e tyre, ishin diskriminuese ne zbatim. Karantina në Qendrën e Studentëve nuk duhet të kalojë pa një hetim gjithëpërfshirës. Shkeljet e diskriminimet aty kanë nisur që prej selektimit të personave, deri tek kohëzgjatja e qëndrimit e trajtimi në karantinë”, shtoi ai.

Ai po ashtu ka thënë se ndërhyrjet në ekonomi në anën tjetër janë tejet të pamjaftueshme. “Mosndërhyrja në kohën e duhur me masa ekonomike do t’i kushtoj shumë ekonomisë, e për këtë duhet mbajtur përgjegjës Kurti e Bislimi, pavarësisht se në çfarë pozicioni mund të jenë nesër”, shtoi ai.

Molliqaj ka thënë se nuk ka asnjë kuptim që xhamitë të hapen para shkollave.

“Përtej oportunizmit elektoral, nuk ka asnjë kuptim hapja e xhamive para shkollave e kafeneve. Në këto të parat frekuentojnë në masa të madhe persona të moshës së tretë, që janë më të rrezikuar nga virusi. Ndërkaq, kafenetë e gastronomia përveç që janë aktivitet kyç ekonomik, nuk i mbledhin në hapësirë të mbyllur me të rrezikuarit”, ka shkruar Molliqaj.

Ai është shprehur se po instrumentalizohet shoqëria civile.

“Duke instrumentalizuar shoqërinë civile, Qeveria Kurti ka organizuar protestë kur masat ishin ende tejet të rrepta, kur njerëzit arrestoheshin e futeshin në karantinë pse kishin dalë për nevojat e tyre. Edhe sot është njëjtë, masat janë në fuqi nga Qeveria, vetë ajo ndërkaq po proteston. Masat duhet të hiqen për të gjithë! Edhe ata qe nuk protestojnë për ta mbrojtur qeverinë janë qytetarë”, ka shkruar Molliqaj. .

Të ngjashme