Molliqaj: Kërkojmë nga ZRRE-ja që nesër të mos e aprovojë propozimin për shtrenjtim të rrymës, ta dëgjojë zërin e qytetarëve

Prishtinë | 30 Jan 2022 | 14:27 | Nga Ekonomia Online

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje që të kthehet mbrapsht propozimi për shtrenjtimin e rrymës.

Molliqaj është deklaruar një ditë pas protestës në Prishtinë, ku sipas KMDLNj-së morën pjesë 2500 – 3000 persona.

Molliqaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se protestat e aksionet do të vazhdojnë derisa të merret një vendim për të mos u shtrenjtuar rryma.

“Pabarazia socio-ekonomike në Kosovë është shumë e thellë. Çmimet, përfshirë edhe ato të produkteve bazike ushqimore e higjienike janë rritur shumë tashmë. Familjet që i përkasin shtresës së varfër dhe asaj të ulët me vështirësi ia dalin në fund të muajit. Në këtë situatë, propozimi për shtrenjtim të energjisë elektrike është absolutisht i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me nevojat e qytetarëve të Kosovës”.

“Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE-ja që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Në të kundërtën, aksionet e protestat do të vazhdojnë deri sa ky vendim të kthehet prapa”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Të ngjashme