Molliqaj kritikon Kurtin: Pse nuk e përmende njohjen reciproke në takim me Lajçakun

Prishtinë | 02 Mar 2021 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se kreu i LVV-së, Albin Kurti në takim me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak nuk ka folur për tri cështje të cilat i ka listuar përmes një shkrimi në Facebook.

Molliqaj ka thënë se Kurti në takimin me Lajçakun askund nuk foli për njohjen e Kosovës nga Serbia, si rezultat final i negociatave,  pranimin e subjektivitetit të Kosovës nga Serbia që manifestohet me të drejtën për bashkim me cilindo shtet tjetër, të pagjeturit, dëmet e luftës, etj.

“Krejt çka foli Albin Kurti ishte se si do ta prioritizoj dialogun, por asgjë për premisat e rezultatet. Hartat, Kushtetuta, territori, kufiri marrin rëndësi varësisht se për cilin vend bëhet fjalë. Këtë na e mëson Bashkimi Evropian. Barazia politike dhe ajo ekonomike nuk janë as në plan të dytë kur bëhet fjalë për Kosovën, në sytë e BE-së. Pastaj, lloji i përfaqësuesit që i është caktuar procesit të dialogut e mishëron më së miri këtë pabarazi”, ka thënë ai.

“Për Lajçakun dhe Bashkimin Evropian Kushtetuta e Kosovës është lehtë e ndërrueshme, integriteti territorial është i cenueshëm dhe thellimi e institucionalizimi i ndarjeve etnike i pranueshëm. Por që ky proces të jetë i tillë duhet që edhe linja zyrtare vendore ta mbështes atë. Por siç duket kjo nuk do të jetë problem. Në fakt nuk ka qenë kurrë më lehtë që t’i gjindet mbështetja projektit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Ky projekt i ndarjes kishte bashkuar shumë qytetarë e aktivistë, në protesta e aksione. Qytetarët i kishin shpallur luftë ndarjes së mundshme, ndërsa organizimi i rezistencës bëhej nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Pyetja është se çka ndërroi? Asgjë më shumë se karriga e Kurtit”, ka përfunduar Molliqaj.

Të ngjashme