Molliqaj: Kurti e Bislimi barazuan UÇK-në me makinën ushtarake të Serbisë

Prishtinë | 10 Sht 2021 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ndaj deklaratës së fundit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për “hapjen e arkivave të UÇK’së” Serbisë.

Molliqaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, sloganin e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare“ Krejt dhe Drejt” e ka kthyer në “Propagandë dhe koncesione”.

“Kurti shkon në Bruksel dhe flet Serbinë si pushtuese shekullore, kurse Besnik Bislimi e fut brenda të njëjtës fjali UÇK-në dhe ushtrinë e Serbisë”, ka shkruar ai.

Më tutje kritika e tij ka vazhduar ndaj zëvendëskryeministrit Bislimi pas deklaratës së fundit për hapjen e arkivave të UÇK-së.

“UÇK në njërën anë, ushtria, policia e paramilitarët e Millosheviqit në tjetrën. Bislim edhe mund të mos e kuptojë, por frikacaku Albin e din mirë se kur e pranon paritetin ke barazuar palët”, ka thënë ai.

Postimi i plotë i Dardan Molliqajt:

Empiricisti Blisim dhe frikacaku Albin.

Pushteti “Krejt dhe Drejt” po e vazhdon funksionimin sipas motos: “Propagandë dhe koncesione”. Kurti shkon në Bruksel dhe flet Serbinë si pushtuese shekullore, kurse Besnik Bislimi e fut brenda të njëjtës fjali UÇK-në dhe ushtrinë e Serbisë.

UÇK dhe makineria ushtarake e policore e Serbisë janë bërë palë të njëjta në një konflikt që dreqi e di si ndodhi e pse ndodhi. Sikur po flasim për ndonjë ishull ku janë ndeshur dy ushtri kolonizatore…

UÇK në njërën anë, ushtria,policia e paramilitarët e Millosheviqit në tjetrën. Empiricisti Bislim edhe mund të mos e kuptojë, por frikacaku Albin e din mirë se kur e pranon paritetin ke barazuar palët. Nuk ka paritet as ekuivalencë, ka asimetri e heterogjenitet.

Nuk është vonë kurrë për të kujtuar. Një ushtri pushtuese dhe një çlirimtare dallojnë për nga natyra e tyre, jo thjesht për nga armatimi. Ushtria pushtuese është heteronome sepse udhëhiqet nga një instancë shtetërore (e jashtme) komanduese që ruan pushtimin. Heteronom je kur kur s’ke autenticitet dhe ka instancë jashtë vetes që të mëson e komandon. Heteronom, prandaj instrument i interesave. Autonom (vetëvendosës) je kur udhëhiqesh nga vullneti yt dhe kështu je bashkësi politike përpara se të jesh pjesë e çfarëdo linje komanduese. Çlirimtarët janë gjithmonë kështu. Çlirimi është vetëreferencial, pushtimi e ka Tjetrin. Ky dallim është universal. Kjo është e vërteta jonë.

Të ngjashme