Molliqaj: Kurti u takua fshehurazi me Trendafilovan për ta legjitimuar vizitën e saj

Prishtinë | 21 Sht 2022 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar fshehurazi me kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Sipas tij, ky takim është zhvilluar për ta normalizuar dhe legjitimuar vizitën e Trendafilovas në Kosovë.

“Pas mesazhit të qartë që qytetarët ia dhanë Trëndafilovas, që n’Kosovë do ta presim veç me protesta, Kurti po përpiqet ta normalizojë atë. Takimi i fshehur larg publikut është përpjekje e dëshpëruar për legjitimim të kësaj vizite. E ka takuar sepse kjo gjykatë po ia mbanë gjallë narrativen për luftën”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Molliqaj ka shtuar se pavarësisht protestave të paralajmëruara me rastin e vizitës së saj në Kosovë, kryeministri Kurti i ka garantuar Trendafilovas se Qeveria ia njeh legjitimitetin.

“Sot qytetarët e shumtë që ishin mobilizuar për protestë, e detyruan Gjykatën që të dorëzohet nga synimi i saj që t’bëjë propagandë. Ndërsa Kurti, përkundër vullnetit qytetar, e paska ngushëlluar atë, duke i garantuar që Qeveria e tij ia njeh legjitimitetin dhe ia pranon vizitat e propagandën”, ka vijuar ai.

Vizita e Trendafilovas në Gjilan është anuluar për shkak të protestave të paralajmëruara nga Partia Socialdemokrate, ndërkohë që edhe veteranët e UÇK-së kanë deklaruar se do t’i bashkohen protestës.

Trendafilova po i mban aktivitetet përmes platformës zoom.

Të ngjashme