Molliqaj kritikon Kurtin, marrëveshja për qarkullim ajror respekton Rezolutën 1244

Prishtinë | 21 Jan 2020 | 20:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, u nënshkrua duke u bazuar në Rezolutën 1244 dhe aty Kosova nuk u përfaqësua as si palë, por vetëm si agjension.

Përmes një shkrimi në faqen e tij në Facebook, Molliqaj kritikon dikur bashkëpartiakun e tij, tani i nominuar për kryeministër, Albin Kurti, se nuk bëri asnjë reagim.

POSTIMI I PLOTË I MOLLIQAJT NË FACEBOOK:

HESHTJA SI PARALAJMËRIM

Me marrëveshjen e fundit, Serbia arriti që çdo qarkullim ajror që bëhet nga dhe drejt Prishtinës e që duhet të kalojë kah hapësira ajrore e Serbisë, të monopolizohet vetëm nga një kompani – që në anën tjetër mund të shërbejë edhe si ndërmjetësuese potencialisht për kompani ajrore të Serbisë. Kjo marrëveshje u nënshkrua duke u bazuar në Rezolutën 1244 dhe aty Kosova nuk u përfaqësua as si palë, por vetëm si një agjension.

Është i papranueshëm lavdërimi i kësaj marrëveshjeje nga pushteti në shkuarje dhe partitë e tjera parlamentare. Është po aq i papranueshëm mos-reagimi i të nominuarit për Kryeministër, që u votua nga qytetarët bash duke premtuar reciprocitet e barazi në raportet e Kosovës me Serbinë.

Sot, për herë të parë pas 14 viteve, gjeti vullnetin dhe kohën për të komentuar për Rugovën, vetëm dhe vetëm sepse po i duhet për pushtet. Dhe sot, për herë të parë pas 15 vitesh, nuk e kundërshtoi një marrëveshje shumë të dëmshme me Serbinë, vetëm dhe vetëm nga frika që po mbetet pa arritur në pushtet.

Ky është një paralajmërim i qartë që edhe nën qeverinë e tij, Kosova do të dëmtohet shumë në raport me negociatat me Serbinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme