Molliqaj në Deçan: Fitorja e Vetëvendosjes e shpëton Kosovën

Deçan | 04 Qer 2017 | 19:24 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje thotë se Deçani, si asnjëherë më parë, është përgatitur për ndryshimin e madh, për 11 qershorin.

Kjo mbështetje u konfirmua edhe në tubimin zgjedhor në këtë komunë, ku prezent ishin Kryetari Visar Ymeri dhe Sekretari Organizativ Dardan Molliqaj, si dhe kandidatë të tjerë për deputetë, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se pas një jave do të jetë dita e Vetëvendosjes. Teksa ka qenë mjaft i ashpër në kritikat për ata që po premtojnë “Fillimin e Ri”, me ç’rast tha se pikërisht këta njerëz janë përgjegjësit për gjendjen e rëndë në vend tash e 18 vite.

“Nuk ka kurrfarë fillimi të ri, mbase janë disa emra të ri që do të vazhdojnë avazin e vjetër. Një Kosovë e re do të jetë një Kosovë e cila e zhvillon ekonominë e vet, një Kosovë që përfundimisht ia mbyll derën Serbisë, dhe jo një Kosovë që deporton aktivistë nga Shqipëria”, tha Visar Ymeri në tubimin zgjedhor në Deçan.

Ai u zotua se Republika e Kosovës do ta ketë ushtrinë e vet, dhe shtoi se themelimi i ushtrisë do të thotë t’i vendosim ndjenjat tona historike në shërbim të paqes në botë. Ai tha po ashtu se qeverisja e Vetëvendosje-s do të angazhohet që të marrim më shumë aty ku tashmë ka shumë dhe të japim më shumë aty ku ka nevojë më shumë.

Kurse Sekretari Organizativ dhe kandidati për deputet, Dardan Molliqaj, tha se në këto zgjedhje janë dy koncepte, janë dy grupacione. Ai tha se nga njëra anë janë partitë e pazareve e nga ana tjetër është Lëvizja Vetëvendosje me programin e saj. Pra, janë ata që nuk e futën UÇK-në në Kushtetutë e nuk i futën veteranët në Kushtetutë, por që i futën nëpër lista për t’u marrë votën në zgjedhje. Molliqaj u shpreh i bindur për fitoren e Vetëvendosje-s.

“Fitorja e Vetëvendosjes e shpëton Kosovën. Por kësaj fitoreje nuk i shpëtojnë të korruptuarit, nuk i shpëtojnë kriminelat, nuk i shpëton ShIK-u. Vota për Vetëvendosje-n dhe Albin Kurtin kryeminsitër është votë për barazi, është votë për zhvillim”, tha kandidati për deputet Dardan Molliqaj në tubimin elektoral në vendlindjen e tij.

Ndërkaq Nënkryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, po ashtu kandidate për deputete, tha se jemi shumë afër ndryshimit.

“Besoj se Lëvizja ka dhënë mjaftueshëm prova se ka ardhur koha e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Kurse, kadidati për deputet, Driton Çaushi, tha se qytetarët e Deçanit dhe gjithë Kosovës e kanë ndarë mendjen për ndryshim. Ai tha se qytetarët e Deçanit e kanë këtë zgjedhje më të qartë se kushdo tjetër, dhe kjo për shumë arsye. Ai shtoi se deçanasit e njohin konsistencën e Vetëvendosje-n në qëndrimet e saj”.

“Nuk guxojmë të ndalemi për shkak se këto mundësi nuk na jepen shumë shpesh. Vetëvendosje si asnjëherë më parë pas datës 11 qershor do të bëjë një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si trajtohet shteti dhe drejtësia”, ishte porosia e Driton Çaushit në Deçan.

Deçani, sikurse edhe komunat tjera të rajonit të Duakgjinit, po i thonë jo nëpërkëmbjes nga partitë e tjera, të cilat i konsiderojnë si bastione të tyre këto komuna, e i kthejnë sytë nga to vetëm në prag të zgjedhjeve. Deçani vendosmërisht po i thotë po ndryshimit, po numrit 35, po Lëvizjes Vetëvendosje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme