Molliqaj për takimin Kurti – Vuçiq: Paketimi i ri i asociacionit që përjetëson mosmarrëveshjen me Serbinë është rendi i ditës në takimin e parë

Prishtinë | 10 Qer 2021 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar për takimin që do të zhvillohet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Molliqaj ka thënë se takimi mes tyre është konfirmuar nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, dhe pa asnjë rend të ditës, transmeton Telegrafi.

“Pa asnjë pikë të rendit të ditës, sot sapo u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së takimi Kurti – Vuçiq që mbahet me 15 qershor. Ndër kritikat që bëhej ndaj delegacioneve të kaluara në negociata me Serbinë ishte se shkonin në takim pa laps e pa letër, duke aluduar se janë pa plan dhe pjesë e planit të huaj”, ka theksua Molliqaj.

Tutje, ai ka pohuar se “Përderisa do të duhej të ishte i pamundur një takim pa parime, ajo çka duket tinëzisht është fakti se dialogu tashmë është i orientuar”.

“Paketimi i ri i asociacionit që përjetëson mosmarrëveshjen me Serbinë është rendi i ditës në takimin e parë, por që nuk ka si titullohet, meqë është proces i ndërrimeve terminologjike. Gjuha e re që do të përdoret në marrëveshjen e vjetër për asociacionin e ka vetëm një funksion: amortizimin e rezistencës”, thotë Molliqaj.

Kryetari i PSD-së, shton tutje se është e pamundur të heshtet për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

“Por siç është e pamundur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë brenda projektit të AKS-së, po aq e pamundur është të heshtet kundërshtimi në rast se tentohet të mbivendoset një kornizë e tillë”.

Ndryshe, Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor.

Kështu ka njoftuar të mërkurën zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano. 

Të ngjashme