Molliqaj përkrah protestën e veteranëve: Shumica qeverisëse ka përjashtuar me përbuzje veteranët e UÇK-së

Prishtinë | 14 Qer 2022 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas votimit të Projektligjit që përcakton pagën minimale, Projektligj i cili përjashton veteranët nga rritja e pagës.

Molliqaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se shumica qeverisëse ka përjashtuar me përbuzje veteranët e UÇK-së dhe se ky votim i bërë sot është përçarës.

“Shumica qeverisëse me përbuzje ka përjashtuar veteranët e UÇK-së nga “reforma” sociale. Votimi i sotëm është përçarës dhe thellësisht reaksionar. Për pensionin e veteranëve, nënçmuan shoqatat e përjashtuan veteranët”, ka thënë pos tjerash Molliqaj.

Tutje, i pari i PSD-së, ka shtuar se qeveria i ka përjashtuar të gjithë veteranët luftëtarë nën supozimin se ka veteranë të rrejshëm.

Postimi i plotë:

AKULL

Kaq shpejt, kaq thjesht. Veteranët jashtë llogarisë! Shumica qeverisëse me përbuzje ka përjashtuar veteranët e UÇK-së nga “reforma” sociale. Ky është segregim.

Akull prej disponimit, pa dilema, pa llafe. U krye, miratohet! Sikur po votohej për ligjin që mbron mishin e dhëmbëve nga rrëmojëset jo cilësore. Çfarë UÇK-je?! Çka është ajo?! A hahet?! Cila luftë mund të përmendet pas 14 shkurtit?!

Votimi i sotëm është përçarës dhe thellësisht reaksionar. Qeveria ka kundër-pozicionuar punëtorët dhe veteranët e luftës. Veteranët qenkan pengesë për punëtorët dhe progresin. Një politikë e përgjegjshme sociale kërkon thurjen e elementeve përbashkuese drejt kohezionit social.

Veteranët janë pengesë, sindikatat përjashtohen prej vendimmarrjes, këtu qenka konflikti. Me kompanitë shumë milionëshe e bankat mirë o Zot, paskemi harmoni.

Për pagën minimale, pasi përpjekjeve për kontroll, i shpërfillën sindikatat. Për pensionin e veteranëve, nënçmuan shoqatat e përjashtuan veteranët.

Qeveria tha se ka veteranë të rrejshëm, por nën këtë supozim (të vërtetë mbase) përjashtoi gjithë veteranët luftëtarë që janë shumicë në atë listë.

Na u tha se lufta është meritë, dhe jo punë skemash sociale, por për meritën dhanë llafe goje, kurse pensionin e luftëtarëve e shkëputën nga minimumi jetik.

Për shtetin nuk përbëjnë kosto mbi 15 milionë të derdhura për polisat e sigurimit për diasporën, nuk përmenden kurrë as nuk janë pjesë e akuzës gjithë ata qytetarë që jetojnë jashtë e marrin pension jashtëligjshëm. Buxheti rëndohet nga UÇK-ja dhe “komandantët”.

Listat qenkan të fryra, dhe duhet pastruar. Ky është arsyetim pa argument. Sepse të njëjtat lista përfitojnë pensionin prej 170 eurosh. Qeveria po na thotë se veteranët e rrejshëm mund t’i marrin 170, por jo 264 euro.

Të ngjashme