Molliqaj: VV-ja doli kundër faljes së gjobave gjatë pandemisë vetëm që t’i dalin kundër PSD-së

Prishtinë | 31 Maj 2021 | 20:01 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i ka reaguar ushtrueses së detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se falja e gjobave ndaj qytetarëve përgjatë pandemisë do t’i dekurajonte ata në zbatimin e ligjit.

Molliqaj, përmes një reagimi në Facebook, e ka pyetur Kusari-Lilën se “si e arsyetojnë faktin që ishin po të njëjtit që para pak ditësh votuan dhe ua paguan 11 milion euro serbëve në veri për rrymën e pa paguar?”.

Ai ka thënë se kjo kundërshti po bëhet vetëm për faktin që PSD ndërmori iniciativën për peticionin që bën thirrje për faljen e gjobave ndaj qytetarëve, të dënuar konform Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19.

Përgjatë ditës, shefja e grupit parlamentar të VV’së ka treguar qëndrimin e subjektit politik të cilin e përfaqëson karshi faljes së gjobave përgjatë pandemisë.

Postimi i plotë i Molliqajt:

Shefja e deputetëve të VV-së paska dalë kundër faljes së gjobave të pandemisë ndaj qytetarëve. Qenkan ”arsyetuar” se falja e gjobave do t’i dekurajonte qytetarët që respektuan ligjet.

Nëse qeveria e VV nuk do të dëshironte që t’i dekurajoj qytetarët që respektojnë ligjet, si e arsyetojnë faktin që ishin po të njëjtit që para pak ditësh votuan dhe ua paguan 11 milion euro serbëve në veri për rrymën e pa paguar?

Ky kundërshtim i faljes së gjobave të pandemisë nga VV është banal dhe vjen vetëm e vetëm për faktin që është PSD-ja ajo që ndërmorri iniciativën për peticion, iniciativë kjo që po mbështetet çdo ditë nga mijëra qytetarë.

Hipokritët në qeveri duhet t’i ndalin qasjet e tyre selektive. Gjobat e pandemisë janë të padrejta, sepse janë pikërisht qeveritarët ata që i kanë shkelur masat, anipse i kanë përpiluar vetë ato.

Peticioni vazhdon, deri në arritjen e qëllimit tonë të përbashkët.

Të ngjashme