Molliqaj: VV po sillet sikur Veriu nuk është pjesë e jona

Prishtinë | 04 Pri 2020 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, nëpërmjet një postimi në Facebook ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti rreth Veriut të vendit.

Molliqaj ka shprehur shqetësimin se komunat veriore janë hyrë në karatinë me urdhërin nga Beogradi dhe se shqetësues është fakti që Kurti dhe VV nuk e thanë asnjë edhe një fjalë, njofton Klan Kosova

Ky është postimi i plotë i Molliqajt:

Mitrovica e Veriut, së bashku me komunat e tjera në veri, u futën në karantinë për shkak të COVID-19, jo nga institucionet e Kosovës por me urdhër direkt nga Beogradi. Ky është cënim i drejtpërdrejtë i sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës prandaj dhe është veprim i papranueshëm.

Çka është edhe më shqetësues është fakti që Kurti dhe VV nuk e thanë as edhe një fjalë për këtë gjë. Kjo parti që proklamonte me zell idenë e bashkimin e Mitrovicës, ide mbi të cilën është rritur politikisht dhe me vota, sot zgjedh heshtjen përballë veprimeve të dëmshme të Serbisë. VV tani po sillet sikur veriu i Kosovës nuk është as pjesë e jona, sikur qeveria e udhëhequr prej tyre nuk e ka për obligim që të ndërmerrë veprime për të parandaluar cënimin e integritetit e sovranitetit të Kosovës e në anën tjetër mundohet me çdo kusht të sabotoj dialogun me Serbinë i cili do të mund të ndalonte përfundimisht këto veprime të Serbisë.

Një sjellje e tillë e Serbisë është rrezikshme. Nën petkun e COVID-19, duke shfrytëzuar frikën e qytetarëve, Serbia po rrit ndikimin e autoritetin e saj mbi komunat e veriut. Neve na duhet një zgjidhje e përhershme kundrejt Serbisë prandaj dhe duhet të fillojmë negociatat që ta arrijmë këtë zgjidhje sa më shpejtë. Ndryshe, me veprimet e Serbisë dhe mosveprimin e Kosovës, nuk mund të quhemi as të pavarur e as sovran.

Të ngjashme