“Momenti i fundit” për miratimin e Ligjit për pandeminë

Prishtinë | 07 Kor 2020 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Në situatën në të cilën po kalon Kosova me rritjen e numrit të vdekjeve dhe infektimeve nga koronavirusi, Projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, është më se i domosdoshëm, thotë Artan Murati, këshilltar ligjor i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Duke folur për iniciativën e kryetares Osmani nga muaji prill, Murati thotë për Radion Evropa e Lirë se ky projektligj erdhi pas dy kërkesave direkte të Gjykata Kushtetuese që kishte kërkuar nga kuvendi që të sigurojë bazë ligjore, që organet tjera të kryenin punën e tyre pa shkelur ligjin.

“Ky ligj ka për qëllim që të krijojë hapësirën e domosdoshme juridike për autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës, në radhë të parë për Ministrinë e Shëndetësisë, me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë, në tërë territorin e vendit, përmes kufizimeve të lehta dhe të domosdoshme të lirive dhe të drejtave të njeriut, sipas nenit 55 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thotë Murati.

Murati thotë se qeveria është dashur shumë moti të japë opinionin, në mënyrë që projektligji të procedohet në kuvend.

“Ndonëse qeveria ka afat prej 30 ditësh, sipas rregullores, për një gjë të tillë, konsideroj se është krejtësisht e panevojshme që të pritet afati maksimal për diçka të tillë, duke pasur parasysh situatën në terren dhe sfidat me të cilat përballen organet e vendit”, thotë Murati.

Ky projektligj për pandeminë është i bazuar në nenin 65, pika 1, të Kushtetutës së Kosovës, që ua lejon deputetëve inicimin e nismave legjislative.

Në Projektligjin për luftimin e pandemisë COVID-19, thuhet se ky legjislacion do të ishte i aplikueshëm për kufizimin e të drejtave kushtetuese, vetëm përgjatë kohës së përballjes me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Iniciativa e Vjosa Osmanit kishte ardhur pasi Gjykata Kushtetuese shpalli jokushtetues vendimet e Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes.

Nisma është iniciuar si rrjedhojë e kërkesave nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili specifikon rolin e kuvendit në ndërmarrjen e masave të duhura për t’u siguruar ‘që kufizimet e nevojshme të të drejtave dhe lirive themelore me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, janë bërë në pajtueshmëri me Kushtetutën’.

Sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës, Qeveria e Kosovës ka afat që deri në fund të kësaj jave, të japë opinionin ligjor për nismën e kryetares së kuvendit, Vjosa Osmani, për votimin e Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Një nismë e tillë ishte bërë në muajin prill dhe ka qenë e bllokuar në kryesinë e kuvendit deri më 11 qershor nga partitë politike, për shkak se nuk kishte konsensus politik.

Kur kanë kaluar gati një muaj prej kur ka marr këtë kërkesë, ekzekutivi ende nuk ka dhënë një opinion të tillë, ndonëse zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, tha se kjo nismë do të trajtohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.

“Në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, që besoj do të mbahet të enjten, do të trajtojmë Ligjin për pandeminë. Këtë mund ta konfirmoj, që do të hyjë në agjendë dhe do të trajtohet”, tha Tahiri pasditen e së hënës, në një konferencë për media.

Thirrje që ky ligj të votohet sa më shpejt

Agnesa Haxhiu, hulumtuese e politikave në Institutin Demokratik të Kosovës, që monitoron punën e kuvendit, thotë se bllokimi i kësaj nisme është bërë për shkak të mungesës së konsensusit politik.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se arsye e hezitimit të procedimit të këtij projektligji nga ana e partive politike që tash janë në pushtet, ka qenë paqartësia kushtetuese për atë nëse ish-qeveria Kurti sa ishte në detyrë dhe Kuvendi i Kosovës, mund të ndërvepronin edhe pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit.

Po ashtu paqartësi tjetër ishte edhe nëse ish-qeveria, që udhëhiqej nga Albin Kurti, që e kishte humbur besimin nga kuvendit, mund të jepte opinion ligjor mbi një nismë të legjislativit.

Megjithatë, Haxhiu thotë se ky projektligj duhet të votohet sa më shpejt, për shkak të rritjes së numrit të vdekjeve dhe infektimeve nga koronavirusi, që sipas saj, shfaq nevojën për ashpërsimin e masave parandaluese.

“Duke e parë që situata me pandeminë është rënduar shumë ditëve të fundit dhe se qeveria i ka kthyer sërish disa prej masave të kufizimit të lëvizjes, në disa prej qyteteve, ky projektligj bëhet i domosdoshëm për t’u miratuar, sidomos nëse krijohet një situatë e tillë ku sërish kërkohet të merren masa më të rrepta sa i takon kufizimit të lëvizjes, për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të virusit”, thotë Haxhiu.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) u ka bërë thirrje publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të votojnë Ligjin kundër COVID-19, duke thënë se është momenti i fundit të veprohet në të mirën e qytetarëve.

“Po të ishte votuar me kohë Ligji anti-COVID-19, sot do ta kishim një bazë ligjore që do ta bënte më efikase luftën kundër pandemisë dhe pasojat do të ishin më të vogla. Për KMDLNJ-në është e pakuptueshme që qeveria po e pret datën e fundit të 11 korrikut në vend se të veprojë me urgjencë dhe në përputhje me situatën e krijuar, ku seriozisht po rrezikohet jeta e qytetarëve të Kosovës, me pasoja shumë më të rënda”, thuhet në reagim.

Masat e reja

Pas rritjes së numrit të vdekjeve dhe infektimeve nga koronavirusi, Qeveria e Kosovës mori vendim që të kthejë masën e kufizimit të lëvizjes në disa qytete.

Prishtina, Prizreni, Vushtrria dhe Ferizaj duhet të zbatojnë vendimin e qeverisë, pasi konsiderohen si qytetet më të prekura nga koronavirusi.

Po ashtu, nga e hëna ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për mbylljen e gastronomisë në gjithë vendin nga ora 21:00 deri në orën 5:00.

Që nga shpërthimi i pandemisë në mes të muajit mars, në Kosovë kanë vdekur 79 pacientë nga koronavirusi.

Të ngjashme