Moskalimi i pragut nga Nisma mund të pamundësoj koalicionin LDK – VV dhe krijimin e qeverisë së re

Prishtinë | 02 Nën 2019 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Kur ka përfunduar numërimi i votave nga diaspora, koalicioni NISMA – AKR ka mbetur jashtë Kuvendit.

Kjo sipas kalkulimeve matematikore edhe të hulumtuesit Armend Muja.

“E kemi kaluar pragun”, ishte fjala që dëgjuam pothuajse në çdo konferencë të Nismës, por një gjë e tillë nuk po ndodh.

Kreu i Nismës Socialdemokrate dhe gjithashtu shef i koalicionit NISMA – AKR, Fatmir Limaj, pati zhvilluar një takim me kreun e LDK-së, Isa Mustafa për koalicion të mundshëm qeverisës.

Mustafa edhe në prononcime publike kishte shprehur simpatinë për Limajn, duke e ftuar tërthorazi në qeveri, por kjo si duket nuk do të mund të ndodh.

Në anën tjetër, Limaj publikisht kishte thënë se nuk beson në qeverisjen e Vetëvendosjes, e këto deklarata ishin parë si bashkim i forcave LDK – NISMA në një koalicon me Vetëvendosjen.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu për lajmi.net është shprehur se Nisma Socialdemokratike në Kuvend do t’i konvenonte më së shumti LDK-së.

Sipas Abdullahut, pa Nismën, LDK në koalicon me VV-në do të ketë drojë nga kryeneçësia e këtyre të fundit.

Abdullahu gjithashtu ka theksuar faktin se moskalimi i pragut nga Nisma mund të bëhet edhe premisë e dështimit të koalicionit LDK – VV dhe krijimin e qeverisë së re.

“Kalimi i pragut nga Nisma Socialdemokrate duket se më së shumti do t’i konvenonte LDK-së. Një përafrim më i madh i LDK-së me Nismën në qeverisjen e re do të krijonte një situatë ku VV nuk do të ndihej superiore në shumë procese të ardhshme. Pa Nismën në qeverinë e re LDK do të ketë drojë të madhe nga kryeneçësia politike e VV e cila mirëkuptimin e tepruar të LDK-së dhe inercionin e saj do ta shfrytëzonte për ta ‘bluar’  politikisht në jo pak procese qeverisëse. Nëse këtë drojë e vlerësojnë të tillë ata të LDK-së, ka gjasa që mos kalimi i pragut nga Nisma të bëhet premisë për dështimin e krijimit të qeverisë së re”, tha Abdullahu për lajmi.net.

Më tutje, Abdullahu për lajmi.net është shprehur se nëse Nisma do të kishte mbetur në opozitë me PDK-në dhe AAK-në do të krijonte opozitë jashtëzakonisht të fuqishme.

Sipas Abdullahut, mungesa e Nisma-s në koalicionin qeverisës do të thotë një qeveri me dy gjysma që kanë armiqësi dhe dallime të vjetra e që do të ndikojë që shumë sfera të mos jenë funksionale.

“Në anën tjetër mbetje e Nismës në opozitë bashkë me PDK-n dhe AAK-n do ta krijonte një opozitë nga më ta fortat që kemi pasur ndonjëherë. Asnjë qeveri nuk do ta preferonte pasjen e një opozite të tillë përball, sepse thjeshtë do të jetë vështirë ti qëndroj më shumë se një vit vertikalisht opozitarizmit të saj. Aq më shumë mund të thuhet kështu nëse merret parasysh se qeveria e re do të krijohet nga dy gjysma, VV dhe LDK, të cilat kanë dallime të mëdha, bile edhe armiqësi të vjetra, dhe të cilat për rrjedhojë në shumë sfera nuk do të mund ta bëjnë një tërësi funksionale dhe pragmatike”, tha Abdullahu për lajmi.net.

Në anën tjetër, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ismail Syla i ka bërë thirrje publike liderit të Nismës për Kosovën që të kthehet përsëri në Partinë Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ishte një kohë të gjatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme