Mospajtime mes deputetëve rreth propozimit të Veselit për votim të projektligjeve

Prishtinë | 09 Kor 2018 | 11:51 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas fillimit të seancës së sotme, kryeparlamentari Kadri Veseli propozoi që votimi i projektligjeve të bëhet prej orës 17, ndërsa seanca të mbahet të enjten prej orës 10.

LDK-ja ishte kundër këtij propozimi.

Abdullah Hoti, nga LDK-ja, tha se këtë gjë e përcakton rregullorja e punës së Kuvendit që e përcakton mënyrën e mbajtjes së seancës.

“Unë jam deputet i kësaj legjislature, asnjë seancë se keni fillu me kohë. Është rregullorja e punës së Kuvendit që e përcakton, mirëpo vullneti i deputetëve mungon”.

Memli Krasniqi, nga PDK-ja, tha se kërkesa e kryetarit është korrekte, raporton Ekonomia Online.

“Sa i përket përgjegjësisë, ajo është e njëjtë si te deputetët e opozitës, si të pozitës. Do të ishte e rrugës që të merremi vesh, sidomos sa i përket pikave të rendit të ditës”.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk pajtohen që votimi të mbahet në orën 17.

“Është e qartë që Kosova ka një Qeveri të pakicës, një koalicion të pakicës. Problemet e kësaj qeverie janë të shumta, sidomos që nuk e ka shumicën në Kuvend. Duhet ta kuptoni se jeni pakicë, dhe nuk mund të vazhdohet tutje. Ne nuk pajtohemi me kërkesën që votimi të mbahet në orën 5.Duhet të shkoni në zgjedhje”.

Ndërkaq Dardan Sejdiu u pajtua që votimet të mbahen prej orës 17.

“Çdo ditë shfaqet nevoja për një disiplinë në Kuvend. Secili deputet dhe grup parlamentar duhet të jetë i vetëdijshëm karshi punëve që na presin. Hajde po e provojmë edhe këtë idenë në orën 5. Por nuk e besoj se do ta zgjedhë problemin. Ne duhet të jemi këtu në ora 10 që t’ia fillojmë punës”.

Ahmet Isufi, AAK, tha se AAK-ja e përkrahë propozimin.

Bilall Sherifi, nga NISMA tha se ky vendim po kushtëzohet nga kuorumi.

“Për sa i përket propozimit, është një vendim i mirë i drejtë, por kjo kushtëzohet nga kuorumi”.

Propozimi shkoi në ri-votim.

Herën e parë 51 votuan për, asnjë kundër dhe 8 abstenime.

Herën e dytë, 60 votuan gjithsej, 50 për, asnjë kundër, 10 abstenime.

Sasha tha se Lista Serbe do të jetë e pranishme në seancë, pavarësisht si merret vendimi.

“Lista Serbe është me përgjegjësi në Kuvend, është e pranishme me të gjitha diskutimet, ne do të jemi në seancë pavarësisht se si merreni vesh”.

Të ngjashme