Mospajtime mes grupeve parlamentare rreth rezultateve të deritanishme të MSA-së

Prishtinë | 19 Qer 2018 | 12:28 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në interpelancën e thirrur për ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, lidhur me zbatimin e marrëveshjes së MSA-së, disa grupe parlamentare deklaruan se Kosova ka shënuar progres në zbatim të saj, ndërsa GP të opozitës theksuan se Kosova po ngec në këtë aspekt.

Ilir Deda, në emër të GP të LDK-së, ka theksuar se Kosova në zbatimin e marrëveshjes së MSA-së nuk do të notohej fare, pasi që nuk do të kalonte provimin, siç e quajti ai, por as për tremujorin (TM) e parë të 2018-ës ai tha se Kosova nuk është e përgatitur që t’ kryejë obligimet e dala nga kjo marrëveshje.

“Faktikisht kur e shikojmë vlerësimin e zbatimit të kontratës së Kosovës me BE-në për MSA-në e shohim edhe gjendjen e vendit tonë dhe aftësinë e vendit tonë që të përmbushë kontratë të cilën e ka marrë dhe në qoftë se do të notohej Kosova, nëse do t’i jepej një notë për aftësinë e saj për zbatim të MSA-së, Kosova do të ngelte dhe nuk do ta kalonte asnjë provim, e me raportin, sidomos me raportin e tremujorit të parë të vitit 2018, tregon që Kosova nuk po përgatitet as për vjeshtë që të kalojë as në provimin e vjeshtës”.

Sipas Dedës, zbatimi i MSA-së, ndër të tjera, u ndihmon institucioneve të jenë më të pavarura.

“Zbatimi i MSA-së e forcon demokracinë në Kosovë, i forcon institucionet, i bën më të pavarura, e forcon sundimin e ligjit edhe e forcon ekonominë, prodhimtarinë e Kosovës dhe e bën atë të gatshme për integrim në tregun e përbashkët në Bashkimin Evropian”.

Ndërsa Elmi Reçica, në emër të GP të PDK-së, ka thënë se Qeveria së bashku me zyrën e BE-së në Kosovë kanë bërë hapa të rëndësishëm në zbatimin e politikave të marrëveshjes së MSA-së.

“Ne vlerësojmë se Qeveria me zyrën e BE-së në Kosovë ka bërë hapa shumë të rëndësishëm në konsolidimin e planifikimit dhe zbatimit të politikave nacionale për zbatimin e MSA-së, konkretisht duke mbajtur në fokus planifikimin dhe zbatimin e dy dokumenteve kyçe nacionale për zbatimin e MSA-së, agjendës për reforma evropiane (ERA) dhe programin kombëtar për zbatimin e MSA-së…” .

Reçica tregoi se grupi parlamentar i PDK-së e mbështet iniciativën për lobim në vendet e BE-së, të udhëhequr nga kryeparlamentari Veseli.

Fitore Pacolli-Dalipi në emër të GP të LVV-së, tha se as kjo Qeveri as ndonjë tjetër me zyrtarë të korruptuar nuk do të mund të bëjnë reforma për vendosjen e Kosovës në binarë të duhur.

“Nëse i marrim rezultatet dhe i shohim për vitin 2018, janë planifikuar 531 masa, mirëpo deri më tani janë realizuar vetëm 78% të tyre, dhe ministrja sapo tha se kjo është sukses dhe ka përmirësim të dukshëm. Mirëpo nga vetëm 39 masa të planifikuara për këtë tremujor, janë realizuar vetëm 31, pra ka mbetur mbrapa me 18 masa. Kjo nuk mund të quhet përmirësim, kjo është ngecje, sepse 18 masa nuk janë realizuar të cilat janë paraparë të realizohen për këtë tremujor.

Shqipe Pantina, në emër të GP të PSD-së, tha se qeveritarët nuk hezitojnë të nënshkruajnë marrëveshje dhe t’i miratojnë ato, por për të mos i zbatuar asnjëherë.

“Sa i përket zbatimit të marrëveshjes së MSA-së, përvoja e deritashme e të gjitha qeverive tona na ka treguar se qeveritarët tanë nuk hezitojnë shumë për të nënshkruar marrëveshje apo dokumente apo edhe për t’i miratuar ato, e sidomos kur ato vijnë nga mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe BE-në por problemi mbetet kur vjen koha për zbatimin e tyre”.

Ahmet Isufi, në emër të GP të AAK-së, tha e vërejtjet rreth zbatimit të masave për MSA-në duhet të jenë permantente në mënyrë që të arriturat të jenë evidente, raporton EO.

“Qeveria që ka filluar t’i marrë këto obligime, këto masa zbatuese i ka orientuar sidomos në minsitritë që kanë të bëjnë me pëmirësimin e gjendjes sa i përket masave të marra. Ne dëgjuam ministren që për tre muajt e fundit ka përmirësimet që kanë ndodhur dhe normalisht që duhet t’i inkurajojmë, por jo vetëm ministren. Vërtet vërejtjet që u dhanë këtu që angazhimet duhet të jenë permanente në mënyrë që të arriturat të jenë evidente dhe të dalin me rezultate sa më të mira në mënyrë që obligimet që kemi për zbatimin e MSA-së të arrihet në nivelin e duhur nëse duam të kemi integrime të avancuara”.

Bilall Sherifi në emër të GP të Nismës, tha se të gjithë duhet të punojnë me një dinamikë të shtuar rreth MSA-së.

“Mendoj që marrëveshja e MSA-së është marrëveshje që ka punuar edhe qeveria e kaluar, është një proces që jemi duke punuar edhe ne si mashorancë, si opozitë. Vlen të theksohet edhe deputetët e opozitës sidomos në komisione janë shumë konstruktivë në debatimin dhe kalimin e projektligjeve të cilat lidhen edhe me MSA-në dhe liberalizim të vizave dhe në përgjithësi në procesin e integrimit e Kosovës drejt BE-së.  Kjo është ajo që të gjithë jemi njëzëri, nuk kemi alternativë tjetër ajo që na duhet të bëjmë tani të punojmë më shumë, me një dinamikë të shtuar dhe rrugën drejt intgrimeve evropiane ta shkurtojmë sepse kjo është vetëm në dorën tonë dhe të askujt tjetër”.

 

Të ngjashme