Mospajtimet për buxhetin mund ta qojnë vendin në zgjedhje

Prishtinë | 21 Nën 2016 | 19:20 | Nga

Buxheti i vitit 2017 është shndërruar në “mollë sherri” ndërmjet partnerëve të koalicionit. PDK dhe LDK vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për sa i përket buxhetit të vitit 2017.

Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa qe vijnë nga PDK mohojnë se është arritur harmonizimi i buxhetit për vitit 2017.

Ndërsa, kreu i Komisionit, Nasër Osmani ka thënë se tanimë qëndrimet janë harmonizuar.

“Besoj shumë shpejt do ta miratojmë dhe kalojmë në Komision. Arsyeja e shtyrjes ka qenë një harmonizim dhe precizim më i mirë rreth disa projekteve qe janë të interesit të përgjithshëm. Qëndrimet tanimë janë harmonizuar dhe këtë javë besoj se do ta kalojmë në Komision”, ka thënë Osmani për Indeksonline.

E, Safete Haderxhonaj, deputete e PDK-së në këtë komision thotë se ende nuk ka harmonizim për çështjen e buxhetit. Duke shtuar se nëse qëndrimet janë harmonizuar kjo çështje do të kishte kaluar në seancë.

“Nuk mund ta di se kur do të jetë saktësisht për miratim, por së shpejti do të jetë në Komision dhe do ta analizojmë. Nuk dua të paragjykoj se a do të harmonizohen qëndrimet, sepse ne jemi partner të koalicionit dhe çështjet duhet t’i diskutojmë bashkërisht. Në bashkë me partnerin e koalicionit duhet ta bëjmë atë që është më mirë për interesa të qytetarëve për zhvillim ekonomik të vendit dhe po dua të besoj se qëndrimet do të harmonizohen”, ka thënë Haderxhonaj për ‘Indeksonline’.

Edhe anëtari tjetër i këtij Komisioni nga PDK, Shukri Buja ka konfirmuar për Indeksonline se PDK dhe LDK ende nuk kanë harmonizuar qëndrimet për buxhetin.

Ndryshe, brenda një kohë të shkurtër ka dështuar dy herë në Komisionin për buxhet dhe financa shqyrtimi i Projektligjit për buxhetin e vitit 2017.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme