Mospajtimet rreth Thaçit bllokojnë Platformën qeveritare për dialog

Prishtinë | 31 Maj 2018 | 08:03 | Nga

Dallimet brenda koalicionit, por edhe refuzimi i opozitës sa i përket rolit prijës të presidentit Hashim Thaçi në dialog me Serbinë ka bërë që Kryesia e Kuvendit të mos e procedojë për shqyrtim Platformën e Qeverisë për Dialogun me Serbinë, shkruan sot Koha Ditore.

Qeveria e Kosovës para më shumë se një muaji ka miratuar projekt-platformën për finalizimin e dialogut Kosovë-Serbi, e cila iu dorëzua presidentit dhe Kuvendit të Kosovës. Kjo platformë në formën e një projekt-rezolute u shqyrtua në Komisionin për Punë të Jashtme më 4 maj 2018.

Edhe pse Komisioni vendosi që platformën ta procedojë në Kryesi, kjo e fundit nuk e ka trajtuar ende.

Megjithatë përfaqësues të partive në pushtet kanë mohuar se vonesat janë për shkak të mungesës së konsensusit rreth platformës.

“Ka pika që vonohen edhe më gjatë prej momentit që i shqyrton Komisioni e derisa të vijnë në Kryesi të Kuvendit për procedim”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

PDK-ja ka kërkuar që të arrihet një konsensus më i gjerë për dialogun. Për ta nuk paraqet problem nëse fazës finale do t’i prijë presidenti Hashim Thaçi.

Por, sipas KDI-së, Kuvendi deri tani është i painteresuar për t’i dhënë prioritet dialogut Kosovë-Serbi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme