MPJ falënderon ministrat që e përmendën sot Kosovën në Torino dhe që e duan anëtare në KE

Prishtinë | 20 Maj 2022 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme ka falënderuar ministrat që e përmendën sot aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës gjatë mbledhjes së Komitetit të Ministrave dhe që shprehën mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në organizatën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Këshilli i Europës fillon diskutimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në takimin vjetor të Komitetit të Ministrave në Torino/Itali. Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e dhënë nga anëtarët e KE-së”, ka shkruar MPJ në një komunikatë për media.

MPJ thotë se Republika e Kosovës është mirënjohëse për mbështetjen e dhënë në përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.

“Deklaratat gjatë Këshillit të Ministrave sot në Torino/Itali kanë treguar këtë mbështetje për aspiratën tonë. Jemi optimistë dhe shpresojmë se me mbështetjen e shprehur dhe të fortë të partnerëve kryesorë dhe të shumicës së anëtarëve në Këshill, si dhe me ndihmën e anëtarëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Kosova do të arrijë te ky synim i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan dhe në tërë Europën”.

Zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Megi Fino, e cila ishte pjesë e kësaj mbledhje, përmes një postimi në Twitter ka treguar se ka folur për çështjen e Kosovës.

“Është koha për të marrë hapa të guximshëm për të ardhmen e Europës, duke përfshirë dhënien e anëtarësisë për Kosovën dhe konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Fino.

Megjithatë, sipas komunikatës së lëshuar nga Këshilli i Europës, temë kryesore mbledhjes së sotme të ministrave ishte lufta e Ukrainës dhe cenimi i të drejtave të njeriut atje.

MPJ në komunikatë vazhdon argumentimet e saj për dobinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

“Kosova po ndjek rrugën e saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike me fokus të qartë në demokraci dhe të drejtat e njeriut, në përputhje me parimet themeluese të Këshillit të Europës. Kosova tashmë në Kushtetutën e saj ka përfshirë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, Konventën e Stambollit dhe një sërë protokollesh të Këshillit të Europës. Anëtarësimi ynë në KiE do të forcojë gjithashtu më tej sistemin europian të të drejtave të njeriut”.

Ministria thotë se Qeveria e Kosovës po bën përparim të rëndësishëm në nxitjen e shtetit të së drejtës siç përcaktohet në Statutin e Këshillit të Europës dhe në konventat përkatëse.

“Në asnjë vend tjetër nuk ka kaq shumë mbështetje publike për integrimet euroatlantike sa ka në Kosovë, ku një shumicë dërrmuese prej më shumë se 90 për qind e qytetarëve po e mbështesin këtë përkufizim. Kosova do të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme në javët dhe muajt e ardhshëm për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të saj që vendi të pranohet nga Këshilli i Europës si anëtar i plotë i familjes europiane”.

Të ngjashme