MPJ-ja e habitur nga vizita e Taninit në Beograd, thotë se është adresë e huqur dhe e gabuar

Prishtinë | 04 Qer 2019 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka shprehur habinë në lidhje me vizitën e shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin, në Beograd, e ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me ambasadorin rus atje, Aleksandar Çepurin.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të MPJ-së, Behgjet Pacolli ka thënë se Beogradi për Tahinin është adresë e huqur dhe e gabuar.

Tahin ka folur me autoritetet e atjeshme në lidhje me përfshirjen e punonjësit Mikhail Krasnoshchenkov në barrikada gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri.

“Mediat në Beograd raportojnë për takim mes kreut të UNMIK-ut, Zahir Tanin, me presidentin e Serbisë Vuçiq, dhe për gjoja shqetësimet e këtij të fundit në lidhje me rastin e pjesëtarit të kriminalizuar të këtij misioni. Nuk mund ta kuptojmë se si në këto rrethana, z. Tanin, ka mundur të vizitojë Serbinë dhe ta takoj Vuçiqin, kur dihet botërisht se me deklarata, Serbia nuk fsheh synimet e saj për destabilitet në rajon. Janë vetëm pak adresa zyrtare, ku z.Tanin do të duhej me vetiniciativë të kërkonte takime sqarues, për të krijuar distancë të përgjegjësisë së misionit që ai drejton nga skandali i punonjësit të tyre”, ka thënë Zyberaj.

Ai ka thënë se janë institucionet e Republikës së Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Kosovë.

“Serbia dhe Beogradi janë adresë e huqur, e gabuar. Tashmë z. Tanin ka dështuar ta bëjë distancim, andaj ne (zvkryeministri Pacolli) i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe vendeve anëtare të KS-OKB për të kërkuar përgjegjësi se si ky mision vepron kundër interesave të Kosovës dhe sigurisë kombëtare dhe në funksion të krimit dhe kontrabandës”, ka thënë tutje ai.

Sipas këshilltarit të Pacollit, deklaratat e përfaqësuesve të këtij misioni në ditët e fundit kanë qenë në mungesë të respektit ndaj institucioneve të Kosovës dhe ne do të marrim masa./Koha.net

Të ngjashme