MPJ: Prioritet anëtarësimi në UNESCO

Prishtinë | 26 Sht 2016 | 15:22 | Nga

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) dhe Qeveria në përgjithësi po angazhohen edhe për anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë edhe në UNESCO.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj, ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se në vizionin e MPJ-së dhe të Qeverisë në përgjithësi është që Kosova të anëtarësohet në sa më shumë organizata ndërkombëtare por, sipas tij, prioritet mbetet UNESCO-ja.

“Ky është synim legjitim dhe logjik, sepse për të qenë pjesë e sistemit ndërkombëtar, përveçse duhet të njihesh nga shtetet në formën bilaterale, duhet të jesh pjesë si shtet edhe në organizatat ndërkombëtare. Dhe në këtë drejtim Kosova aspiron të anëtarësohet në sa më shumë organizata, megjithatë i kemi prioritet UNESCO-n, Interpolin dhe Këshillin e Evropës. Secila organizatë është specifike. Po punojmë sidomos për UNESCO që t’i plotësojmë edhe disa mangësi që i kemi pasur në tentativën e kaluar, mirëpo sa i përket momentumit se kur do të aplikojmë, kjo do të përcaktohet në javët dhe muajt e ardhshëm, sepse nuk jemi të vetëm në këtë proces”, ka thënë Murtezaj.

Ai shpreson se kësaj here do të kemi sukses në anëtarësimin në UNESCO. “Nuk do të duhej të mos kemi sukses kësaj radhe, sepse nuk do të na falej pastaj. Po ashtu, është me interes shumë të madh për Kosovën që të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, por në të njëjtën kohë, edhe përkundër përparimeve të mëdha që i ka bërë Kosova në shumë fusha, ne ende duhet të tregojmë se jemi të përkushtuar dhe se po i zbatojmë aspektet e të drejtave të njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pra sundimin e ligjit në përgjithësi. Procesi është kompleks dhe jo krejt janë përkrahës. Megjithatë, besoj se do ta gjejmë momentin e duhur për të pasur sukses në votim”, ka thënë zëvendësministri Murtezaj.

Ndërsa profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova duhet të bëjë përgatitje shumë serioze për aplikimin e sërishëm në UNESCO. “Mendoj se duhen përgatitje shumë serioze për të riaplikuar për anëtarësim në UNESCO. Duke e ditur se kemi qenë shumë afër pranimit dhe e kemi parë se sa të rëndësishme janë votat, për një votë mund ta humbësh shansin. Ky është rasti i dytë kur ne nuk guxojmë të shkojmë të papërgatitur”, ka thënë Gashi. Para së gjithash, institucionet e Kosovës duhet të kenë një komunikim të drejtpërdrejtë me shtetet që e kanë njohur Kosovën, që së paku të mos kemi abstenime apo votim kundër nga to, ka thënë Gashi.

“Kjo është gjëja e parë që duhet të sigurohemi para se të aplikojmë. Nëse e kemi mbështetjen nga vendet që na kanë njohur dhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën por që kanë votuar për, atëherë edhe mund të përgatitemi, por duhet të kemi parasysh edhe një fakt, se Serbia ka punuar prej momentit kur ne e kemi paralajmëruar aplikimin. Pra, ata kanë punuar shumë. Ju e dini se imazhet e asaj kishës së djegur diku në Kosovë kanë qenë imazh i keq për shtetet anëtare të UNESCO-s. Do të thotë, këto zhvillimet e fundit me kishën ortodokse (në oborrin e UP-së) duhet të kemi siguri më të madhe, garanci më të madhe prej vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe vendeve që na kanë mbështetur herën e parë. Qeveria duhet t’i shfrytëzojë të gjitha vendet mbështetëse, të gjithë miqtë ndërkombëtarë për t’u përgatitur, sepse një dështim i dytë do të ishte lajm i keq për Kosovën”, ka vlerësuar Gashi.

Gashi ka folur edhe për mundësinë që Serbia ta përdorë kishën ortodokse në kompleksin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” si argument kundër Kosovës.

“Nuk dua ta ndërlidh apriori aktualizimin e çështjes së kishës këtu, mirëpo kam përshtypjen sikur ky aktualizim vjen në një kohë kur ne paralajmërojmë riaplikimin dhe frikësohem se edhe kjo mund të ketë efekte negative në momentin kur Kosova të aplikojë. Mund të presim edhe skenarë të Serbisë se gjoja shqiptarët e Kosovës po i pengojnë të kthehen te kisha dhe ta bëjnë temë çështjen e kishës në një kohë kur neve nuk na duhet kjo. Tekefundit, Serbia nuk e ka bërë temë që sa vite dhe po e bën tash. Pra, kjo mund të ketë lidhshmëri. Vetë koha kur riaktualizohet kjo më bën të mendoj se është bërë me tendencë që të përdoret si argument tjetër kundër Kosovës në UNESCO”, ka vlerësuar profesori Gashi.

Më 9 nëntor të vitit 2015 Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) nuk votoi në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë. Kosova nuk arriti t’i sigurojë votat e më shumë se dy të tretave të vendeve anëtare të kësaj organizate, të cilat ishin të nevojshme për pranimin e saj në UNESCO.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme