MPJ thotë se propozimi i ambasadorëve ishte bërë para dorëheqjes së Qeverisë

Prishtinë | 21 Gus 2019 | 22:12 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) informon opinionin publik në lidhje me emërimin e Ambasadorëve të rinj të karrierës nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas propozimit nga ana e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të sqaroj keqkuptime të mundshme të krijuara të cilat nuk janë në përputhje me realitetin dhe ligjin.

Sipas legjislacionit në fuqi, Ministri i Punëve të Jashtme propozon emërimin e Ambasadorëve. Propozimi i Ambasadorëve në këtë rast është bërë para dorëheqjes së Kryeministrit, kurse emërimi i tyre nga Presidenti po ashtu është bërë në përputhje me Kushtetutën, Ligjin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ligjin e Shërbimit të Jashtëm të Kosovës.

Emërimi i Ambasadorëve është një proces, jo një akt i vetëm. Presidenti, mandati i të cilit nuk lidhet me dorëheqjën e Kryeministrit apo qeverisë, e ka bërë emërimin bazuar në propozimet e ligjshme të bëra nga Ministri i Punëve të Jashtme.

Duhet theksuar se të gjithë Ambasadorët e propozuar dhe të emëruar kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në ligj dhe janë anëtarë të shërbimit të jashtëm, që kanë kontribuar në Ministri për vite.

Ministria tanimë ka zbatuar me sukses kërkesën e ligjit për të pasur më shumë se 50% Ambasadorë të karrierës, si dhe ka krijuar një gjeneratë të re të Ambasadorëve profesionistë që kanë përvojë dhe arsimim për të përfaqësuar interesat e Kosovës jashtë vendit. Me emërimin e Ambasadorëve nga radhët e karrierës, ashtu siç është bërë propozimi nga Ministria e Punëve të Jashtme, numri i anëtarëve të shërbimit të jashtëm të emëruar Ambasador nga radhët e karrierës diplomatike do të jetë 60% më çka është de-politizuar shërbimi i jashtem.

Edhe njëherë, Ministria e Punëve të Jashtme dëshiron të sqarojë se emërimi i Ambasadorëve është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çdo spekulim tjetër për këtë proces dëmton vetëm interesat e Kosovës jashtë vendit dhe punën e këtyre Ambasadorëve në misionet ku janë emëruar. Emërimi i Ambasadorëve respektiv është në respekt të plotë të meritokracisë, brenda shërbimit të jashtëm të Kosovës. Tani Ministria ka filluar procesin e akreditimit të këtyre Ambasadorëve në vendet përkatëse pritëse.

Për më tepër Ministria dëshiron të shprehë gatishmërinë, në frymën e transparencës dhe sqarimit të spekulimeve të bëra deri më tani për të treguar të gjithë të interesuarve dokumentacionin se propozimi i Ambasadorëve është bërë në përputhje me ligjin dhe kushtetutën, para dorëheqjes së Kryeministrit dhe gjendjes së krijuar në qeveri.​

Të ngjashme