MPJD: Katër kosovarët me të cilët kemi qenë në kontakt janë evakuuar nga Afganistani

Prishtinë | 19 Gus 2021 | 10:51 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se katër shtetas të Kosovës janë evakuuar nga Afganistani.

MPJD përmes një komunikate për media ka thënë se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejt me shtetasit kosovarë atje.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), bënë të ditur se katër shtetasit e Kosovës me të cilët ka qenë në kontakt të drejtpërdrejt dhe ju është ofruar ndihmë pas përshkallëzimit të situatës në Afganistan, janë evakuuar.Që nga përshkallëzimi i situatës atje, MPJD-ja ka qenë e angazhuar për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës me qëllim të largimit sa më të shpejt nga Afganistani.MPJD-ja vazhdon ta mbaj të hapur linjën emergjente me numër +383 45 492 316, dhe është në dispozicion tu ofroj ndihmë të gjitha rasteve të reja që eventualisht mund të lajmërohen në periudhën në vijim”, thuhet në komunikatë.

Institucionet e Kosovës janë deklaruar se janë duke bërë përgatitjet e duhura logjistike e teknike, por edhe të sigurisë dhe sociale për strehimin dhe mbrojtjen e qytetarëve nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

Deri më tani ende nuk dihet se sa do të jetë numri i afganëve që do të qëndrojnë në Kosovë, derisa t’iu përfundojnë procedurat e vizave amerikane.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Të ngjashme