Muhaxhiri skeptik për Samitin e Parisit: Propozim-aktakuza ndaj Thaçit e dërrmoi dialogun

Prishtinë | 08 Kor 2020 | 18:35 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë se nuk duhet të ketë pritshmëri të mëdha se çka do të sjellë Samiti i Parisit – që do të mbahet më 10 korrik në mënyrë virtuale – në raport me dialogun.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se këtë e sheh vetëm si një akt formal për të krijuar idenë që po rifillon dialogu pasi, sipas tij, procesi është dëmtuar shumë nga propozim-aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi.

“Mendoj se pritjet nuk duhet të jenë të mëdha. Ky do të jetë tentim formal për ringjalljen e dialogut. Pas njoftimit për draftin e parë, propozimin e aktakuzës për presidentin Hashim Thaçi, dialogu është dëmtuar shumë edhe sa i përket pushteteve vendimmarrëse, prandaj edhe ky takim virtual do të jetë vetëm një përpjekje që të bëhet një hap pozitiv sa i përket raporteve të BE-së dhe që në media dhe opinion të krijohet përshtypja se po rifillon”.

“Efektivisht nuk do të ketë shumë substancë, sepse njoftimi për propozim-aktakuzën ndaj presidentit [Hashim] Thaçi e ka dërrmuar gjithë dialogun dhe pa një zëvendësim kuptimplotë të presidentit Thaçi në aspektin e fuqisë politike, kredencialeve dhe kapitalit simbolik që përfaqëson nuk mund të ketë një rifillim dhe kthim në binarë siç ishte para propozim-aktakuzës”.

Muhaxhiri ka thënë se skepticizmi i tij në raport me atë se çfarë mund të prodhojë Samiti i Parisit bazohet në përvojat e kaluara me Bashkimin Europian përballë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ka pasë qindra dhe mijëra takime dhe marrëveshje të cilat nuk janë realizuar, madje as që diskutohet për to. Kemi pasë përvoja shumë negative. Më kujtohet rasti me trenin e famshëm nacionalist ku në fund BE-ja tha se [Aleksandar] Vuçiqi doli si paqedashës dhe e ndaloi – aq e transformuan gjithë atë situatë. Shumë marrëveshje nuk janë funskionalizuar, posaçërisht edhe në raport me Luginën e Preshevës”.

“Ky skepticizëm vjen nga përvoja. Nëse BE-ja ndryshon qasjen për 180 shkallë, atëherë është e mirëseardhur. Nëse ekziston vullneti dhe angazhimi që të ndryshohet kjo qasje, atëherë kjo do të jetë shumë mirë për Kosovën. Aq shumë jemi zhgënjyer me këto takime dhe ngjarje sa që është shumë i shëndoshë dhe i bazuar ky skepticizëm”.

Fuqia politike e kryeministrit Avdullah Hoti është një problem tjetër në gjithë këtë proces, sipas Artan Muhaxhirit.

“Kryeministri [Avdullah]  Hoti nuk ka fuqi politike që t’i garantojë marrëveshjet. Avdullah Hoti nuk është as si Hashim Thaçi as si Albin Kurti – as nuk mund t’i bëjë 80 vota në Kuvend dhe as nuk mund t’i fitojë 200 mijë vota në elektorat. Është politikan i një profili tjetër. Ai u bë kryeministër me 61 vota me gjithë atë mobilizim”.

“Do ta ketë shumë të vështirë të garantojë kalimin e marrëveshjeve në Kosovë. Edhe ai do të jetë ngurrues në raport me marrjen e përgjegjësive të mëdha, sepse nuk mund të hyjë në këpucat e Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit që qoftë me përkrahje të madhe në Kuvend ose elektorat të garantojë zbatimin e marrëveshjeve”.

Të ngjashme