Muhaxhiri: Vendimi i Hotit për dialogun i rëndësishëm, Kurti nuk e pati këtë guxim

Prishtinë | 05 Qer 2020 | 18:22 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik Artan Muhaxhiri, e ka cilësuar si jashtëzakonisht me rëndësi vendimin e Kryeministrit Avdullah Hoti për t’i prirë procesit të dialogut me Serbinë dhe këmbënguljen për të mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve.

“Ky është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe duhet përgëzuar Kryeministri Avdullah Hoti. Është një vendim që është dashur ta marrë ish Kryeministri Albin Kurti. Është vendim i guximshëm dhe vendim për t’i identifikuar vijat dhe binarët që mund të shkojë kjo Qeveri”, është shprehur Muhaxhiri, njofton Klan Kosova.

“Ky vendim shkërmoq marrëzirat që janë theksuar për çështjen e dialogut pa pasë asnjë fakt, me fjalë kafenesh dhe spekulimesh. Është një vendim që do ta tregojë rrugën e Qeverisë. Është një guxim dhe çdo lëvizje do të dënohet nga opinioni dhe votuesit”.

Muhaxhiri në Info Magazine ka theksuar se Hoti ka bërë me dije se nëse dikush i kërkon ndryshim të kufirit ai do të tërhiqet nga pozita e kryeministrit.

“Hoti dhe kjo Qeveri e ka bërë me dije se cili është plani i tyre. Pranojnë të shkojnë në dialog me përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së. Kurti është dashur ta bëjë këtë, por nuk pati guxim. Hoti nuk e ka marrë këtë vendim kokë më vete, besoj se është konsultuar me Mustafën dhe vendimmarrësit në LDK dhe partnerët e koalicionit”.

“Qëndrimi për mosndryshim të territoreve ka qenë qëndrim i 99 përqind të liderëve politikë kosovarë. Por ky është një vendim qeveritar sepse i paraprinë dialogut. Hoti kur nuk do të mund ta çojë përpara këtë ide do të largohet dhe vendi do të shkojë në zgjedhje. Kushdo që këkron ndryshim territoresh do të ketë një largim të Hotit”.

Të ngjashme