Muhaxhiri: Vendimi për reciprocitet ndaj Maqedonisë s’ka legjitimitet tash, është populizëm i pastër

Prishtinë | 16 Gus 2019 | 18:59 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se vendimi i sotëm i Ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shalës, për masë reciprociteti ndaj Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm vendim i thjeshtë politik, por një akt që është pjesë e fushatës zgjedhore.

“Është vendim i padrejtë. Shala nuk ka të drejtë t’i shfrytëzojë resurset shtetërore, nuk ka të drejtë të marrë vendime të mëdha sepse ‘de facto’ nuk ka qeveri dhje ai nuk është ministër. Nuk pajtohem me konstatimin “Qeveri në dorëheqje”. Qeveria nuk ekziston. Ministrat nuk do të duhej as të shkonin në zyret e veta, sepse nuk kanë legjitimitet. Aktivitetiet qeveritare duhet të suspendohen në nivele teknike”.

“Çdo akt i tillë është pjesë e pandershme dhe keqpërdorim i postit. Ka pasë kohë të mjaftueshme të bëhej deri më tash. Këto nuk janë probleme që kanë lindur dje dhe kërkojnë zgjidhje sot”, ka thënë Muhaxhiri, njofton Klan Kosova.

“Mendoj se ky nuk do të jetë akti i fundit i këtillë… Do të ketë edhe të tjerë. Ky është absurdi, sepse një vendim kaq i madh ndërhyn në marrëdhëniet tona me shtetin e Maqedonisë së Veriut kur dihet se sa delikate janë ato. Është akt që do të duhej të peshohej mirë dhe jo të merrej në këtë mënyrë. Është populizëm i pastër”.

Muhaxhiri ka pohuar në Info Magazine se Maqedonia e Veriut mbase mund të ketë një lloj mirëkuptimi ndaj masës së vënë kundër importimit të mjaltit dhe patateve duke e ditë se në Kosovë veçse ka nisur fushata zgjedhore.

“Politikanët bëjnë akte irracionale që të përfitojnë sa më shumë vota. Maqedonia e Veriut është treguar shumë konstruktive në raport me Kosovën muajve të fundit. Vuçiq u ankua ndaj Zaevit pse e kishte përkrahur Kosovën në Samitin e Berlinit. Ka pasë përmirësim të raporteve me Maqedoninë e Veriut. Me Zaevin ka filluar një kthesë në krahasim me Gruevskin dhe tani më duket absurde që të dëmtohet kjo marrëdhënie e mirë, sidomos kur Kosova ka nevojë për aleanca në Ballkan”.

“Besoj se do ta mirëkuptojnë si një akt naiv që është marrë pa i analizuar dëmet dhe të mirat nga taksa. Për shkak të hovit të populizmit që ka pasur kjo qeveri ndoshta edhe është e pritshme që të përfundojë me këto veprime”.

“Ky nuk do të jetë akti i fundit. Edhe ministrat tjerë do të tentojnë që t’i keqpërdorin postet e tyre. Qeveria nuk do të duhej të funksiononte, duhet të bëhen punët e domosdoshme si pagesat e thjeshta.., por jo të merren vendime të rëndësishme. Politikanë të rëndësishëm nuk do të vijnë në Kosovë derisa të përfundojnë zgjedhjet”.

Të ngjashme