Muja kërkon shkarkimin e Duda Baljes nga Komisioni hetimor – LDK-ja lëshon mbledhjen

Prishtinë | 27 Kor 2022 | 15:15 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mes tensioneve dhe debateve ndërmjet pozitës dhe opozitës, u zhvillua mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, raporton Ekonomia Online.

Krejt kjo si pasojë e kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për përjashtimin e deputetes Duda Balje dhe atij të Listës Serbe, Ljubinko Karagjiq, pasi sipas tyre janë evidentuar mungesa të shumta.

Pas debatit, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj dhe Rrezarta Krasniqi, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022. Mbledhjen e lëshoi edhe deputetja Duda Balje.

Deputeti i VV-së, Armend Muja, tha se kanë identifikuar mungesa të tyre në disa seanca.

“Ne kemi dokumentuar pesë mungesa të deputetes Duda Baljes, dhe i kemi identifikuar gjashtë mungesa të deputetit të Listës serbe, Ljubinko Karagjiq. Ne i konsiderojmë se janë plotësuar kushtet dhe kështu duhet të përjashtohen nga Komisioni dhe të zëvendësohen me të tjerë”, tha Muja.

Në fillim të mbledhjes së sotme, kryetari i Komisionit, Hajdar Beqa, tha se deputetja Balje nga pesë mungesa, tri i ka të arsyetuara.

Sipas tij, edhe Karagjiq ka dërguar sqarime.

Ai tha se deputetja Duda Balje ka qenë në vizita zyrtare dhe se kishte paralajmëruar mospjesëmarrjen. Derisa kërkesën e Mujës e quajti ‘puro politike’.

“Këto kërkesa nga VV-ja janë puro politike, sepse nuk po votojnë siç dëshironi ju”, tha ai.

Pas kësaj ka reaguar Balje, e cila kërkesën e Mujës e cilësoi si politike dhe hakmarrje ndaj saj nga ana e partisë në pushtet.

“Partia në pushtet po dëshiron të më largojë nga Komisioni, pasi që nuk po i bindem kërkesave të tyre për të votuar në Kuvend”, tha Balje.

Pas kësaj kërkese pati reagime dhe përplasje mes deputetit të PDK-së, Hajdar Beqës dhe deputetit të LVV-së, Arbër Rexhajt.

Të ngjashme