Mungesa e njohjeve – ekspertët thonë se diplomacia kosovare ka dështuar

Prishtinë | 02 Tet 2022 | 08:33 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Viti 2022 po konsiderohet si njëri nga vitet me asnjë njohje për shtetin e Kosovës. E kjo po konsiderohet edhe si ngecje në punën e diplomacisë kosovare, si pasojë e të cilës nuk po arrihet të sigurohen njohje të reja, nga vendet që ende nuk kanë bërë një gjë të tillë, raporton Ekonomia Online.

Njohësit e këtyre proceseve, thonë për Ekonomia Online, se institucionet kosovare kanë dështuar në këtë aspekt.

Ndërsa, theks të veçantë i japin edhe mosnjohjes së pesë shteteve të Bashkimit Evropian.

Duke folur për këtë çështje, profesori universitar, Dorajet Imeri, thotë se pesë shtetet mosnjohëse, e ndërlidhin njohjen e Kosovës si shtet me marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse thotë se ka angazhime në këtë drejtim, Imeri thotë se kjo ende nuk ka rezultuar me ndonjë njohje.

“Procesi i njohjeve është tejet kompleks dhe shumë i rëndësishëm që shtetet e marrin në një entitet politik që sapo është deklaruar shtet. Situata e Kosovës është shumë e ndjeshme, fatkeqësia është se procesi i njohjes deri dikund po lidhet me procesin negociues Kosovë-Serbi. Shumica e shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën, kanë deklaruar tashmë se ne nuk do ta njohim Pavarësinë e Kosovës, pa ndonjë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra kjo është fatkeqësi që po përballet vendi jonë”, u shpreh ai.

Imeri thotë se gjatë këtyre viteve, Kosova u përball me një fushatë të ashpër nga diplomacia serbe, që vazhdimisht lobonte për tërheqje të njohjeve të shtetit të Kosovës.

“Por që ka shtete që e kanë shkruar dokumentin i cili thotë se ne e çnjohim Pavarësinë e Kosovës, po ashtu është e vërtetë. Çka dua të them është se disa shtete e kanë deklarur një gjë të tillë që nënkupton se kanë vepruar konform një shtytje të madhe politike që e ka zhvilluar diplomacia serbe që nuk ka lënë pa shfrytëzuar të gjitha veprimet, duke përfshirë përmes korruptimit e shantazhit”, u shpreh ai.

Se mosnjohja nga pesë vendet anëtare të BE-së, po e dëmtojnë Kosovën në sigurimin e njohjeve të reja, e thotë edhe profesori i integrimeve evropiane, Avni Mazreku.

 Madje, sipas tij Kosova ende nuk e ka kuptuar interesin strategjik të saj.

“Po mendoj që po sepse Kosova nuk e ka kuptuar që interesi strategjik i Kosovës është fokusimi në arritjes në këto pesë njohjet, dhe Kosova shumë pak ka aktivitet në funksion të bindjes së këtyre pesë shteteve për ta njohur Kosovën, përderisa nuk shohim aktivitete të politikës së jashtme të Kosovës në funksion të arritjes së këtij objektivi sepse është ky është objektiv strategjik për Kosovën, atëherë ne mund të konkludojmë se Kosova nuk e ka kuptuar drejtë se çka është interes strategjik i saj”, u shpreh Mazreku.

Mazreku ka thënë se në etapa të ndryshme, Kosova ka mundur ta shfrytëzojë më mirë sigurimin e njohjeve të reja.

Ai përmend edhe ndihmën që i ka dhënë Gjermania, Greqisë.

“Kosova ka pasur shumë momente kur ka mundur t’i shfrytëzojë këto momente, një prej momenteve shumë të rëndësishme kur është dashur të shfrytëzohet fuqia ndikuese e Gjermanisë dhe Francës ka qenë kriza financiare globale, atëherë kur Gjermania e krediton komplet sistemin ekonomik edhe financiar të Greqisë, dhe njëri nga kushtet e lehta për Greqinë do duhej të ishte njohja e Kosovës, sepse BE-ja është vet shpëtimtari i Greqisë. Në këtë rast, njohja nga ana e Greqisë do ta sjelltë edhe njohjen e Qipros”, u shpreh ai

Të ngjashme