Mungon vullneti politik për dalje nga kriza

Prishtinë | 09 Gus 2017 | 14:18 | Nga

Njohës të zhvillimeve politike theksojnë se kriza politike në vend është krejtësisht rezultat i inateve personale të subjekteve politike.

Sipas opinionistit Imer Mushkolaj, zgjidhje ka mjaft, por subjektet politike po tentojnë ta dërgojnë vendin sërish në zgjedhje.

“Ka shumë oferta që mund ta zgjidhin krizën, mirëpo inatet politike nuk po e lejojnë një gjë të tillë dhe fatkeqësisht gjithë vendi dhe qytetarët kanë mbetur peng i këtyre inateve politike”, tha Mushkolaj.

Sipas njohësve të zhvillimeve politike, koalicioni PAN po krijon bllokada të panevojshme duke mos propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, ashtu siç e përcakton vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014.

Por, edhe Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR, sipas tyre, do duhej të shihnin mundësinë që duke votuar cilindo kandidat, qoftë edhe Kadri Veselin, ta kalojnë këtë hap, për ta formuar pastaj Qeverinë.

Gjithsesi, sipas profesorit të të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, vendimi i vitit 2014 mund të rishikohet dhe për këtë, sipas tij, do duhej të përfshihej presidenti.

“Në bazë të nenit 84 paragrafi 2, presidenti është i obliguar që të sigurojë dhe të kujdeset për funksionimin kushtetues të organeve të vendit. Pikërisht një situatë të tillë e kemi dhe meqë e kemi kështu, në bazë të pikës 9 të të njëjtit nen, presidenti ka të drejtë të iniciojë një pyetje apo më shumë pyetje drejt Gjykatës Kushtetuese”, tha Baraliu për Radio Kosovën.

Por, presidentin Hashim Thaçin, Imer Mushkolaj e sheh si të përfshirë në këtë situatë, por jo sipas përgjegjësive kushtetuese.

“Presidenti fatkeqësisht është përfshirë vetëm në një mënyrë tjetër. Ai është përfshirë vetëm si sigurues i votave për koalicionit PAN, gjë që nuk i takon ta bëjë. Deri më tani e kemi parë në këtë funksion”, tha Mushkolaj.

Njohësit e zhvillimeve politike thekson se presidenti e ka për detyrë që t’i shmangë zgjedhjet e reja dhe në çdo formë të gjenden zgjidhje për krijimin e institucioneve të reja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme