Murati: Nga ky muaj, nënat që kanë lindur fëmijë nga viti 2015 e tutje mund të aplikojnë për shtesa

Prishtinë | 15 Tet 2021 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se sot ka marrë vendim që nga ky muaj të zgjerohet skema e shtesave për fëmijë edhe për fëmijët e lindur nga viti 2015 e tutje.

Pra, sipas këtij vendimi, të gjitha nënat që kanë fëmijë të lindur nga data 1 janar 2015 e tutje, mund të aplikojnë për shtesa, të cilat do të fillojnë t’i marrin nga ky muaj.

“Aplikimi për fëmijët 2015+ do të hapet prej ditës së nesërme.  Për të përfituar nga ky muaj e tutje, aplikimi duhet të bëhet më së largu deri me 24 tetor. Aplikimet që bëhen pas datës 24 tetor, shqyrtohen në muajin pasues”, shkroi Murati njoftimin e tij në Facebook.

Murati po ashtu bëri të ditur se kanë vërejtur se në disa raste llogaria bankare ka qenë e vendosur gabim.

“Pas pilotimit me sukses të masës së shtesave për fëmijë, kemi vërejtur se në disa raste llogaria bankare ka qenë e vendosur gabim.  Andaj që të parandalojmë gabime të tilla, marrë parasysh edhe vëllimin e shtuar të aplikimeve që pritet të rezultojë me zgjerimin e programit për gjeneratën 2015+, e kemi parë të nevojshme që në formularin e aplikimit të shtojmë edhe funksionin e validimit të llogarive bankare në kohë reale. Këtë e kemi bërë në bashkëpunim me ASHI dhe BQK.

Pra tani e tutje, që të pranohet aplikimi, duhet të siguroheni se llogaria është në emrin e nënës”, thuhet në këtë njoftim

Të ngjashme