Murati: Reciprociteti me Serbinë duhet ta ndihmojë Kosovën Lindore e jo ta dëmtojë atë

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka reaguar pas vendimit që Kosova mos t’i njeh pasaportat serbe por vetëm letërnjoftimet.

Zyrtarë të Qeverisë në largim, thanë se kjo vjen pas paraqitjes se shqetësimeve të disa qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, se policia kufitare nuk po lejon qarkullimin me pasaportat serbe.

Murati përmes një postimi në Facebook ka thënë se reciprociteti me Serbinë duhet ta ndihmojë Kosovën Lindore e jo ta dëmtojë atë. Ndër tjera ka thënë se ky vendim ka goditur mërgimtarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

“Vendimet që i marrin institucionet e Kosovës në raport me shtetin serb duhet ta kenë parasysh gjithnjë edhe dimensionin e Kosovës Lindore, përkatësisht të shqiptarëve që jetojnë atje dhe të cilët mbijetesën e vetë e realizojnë përmes komunikimit vital me Kosovën. Kështu vendimi për mosnjohje të pasaportave të Serbisë, ashtu siç e ka pohuar edhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve atje, ka goditur rëndë mërgimtarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilët me shumicë udhëtojnë përmes Aeroportit të Prishtinës dhe të cilët veç kanë pasur probleme këto ditë”, ka shkruar Murati,

Ai thotë se reciprociteti në raport me Serbinë përveç për të fuqizuar shtetin e Kosovës duhet të realizohet mbi të gjitha për të ndihmuar shqiptarët në Kosovën Lindore e jo për të vështirësuar edhe më jetën e tyre atje.

“Ftoj institucionet tona që urgjentisht të gjejnë zgjidhje për shqiptarët e Kosovës Liindore edhe sa i përket çështjes së udhëtimit me pasaporta”, përfundon ai.

Të ngjashme