Muri në veri, KPJ fton në interpelancë Mustafën dhe Tahirin

Prishtinë | 12 Dhj 2016 | 12:27 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Punë të Jashtme është mbledhur për të diskutuar në lidhje me situatën aktuale në Mitrovicë, pas vendosjes së murit afër urës kryesore mbi lumin Ibër.

Në këtë komision u kërkua raportimi dhe interpelanca në kuvendin e Kosovës nga ana e kryeministrit Isa Mustafa dhe ministres për Dialog, Edita Tahiri.

Puhie Demaku nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se muri në Mitrovicë prek integritetin e vendit.

Ajo tha se ky muri i ndërtuar në Mitrovicë vjen si rezultat i injorimit të Edita Tahirit e cila sipas Demakut gjithmonë vetëm ka lëvduar bisedimet, por nuk ka marrë rekomandimet e deputeteve

“Muri paraqet ndarje fizike e cila vjen si rezultat i fusnotës së Edita Tahirit e tash kjo fusnotë u betonua. Ne nuk dimë nëse ka pasur marrëveshje me Serbinë për këtë muri. Paraprakisht përveç që duhet të vijn në raportim e të jenë të gatshëm për interpelancë duhet t’i sjellin të gjitha dokumentet e bisedimeve dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, ka thënë Demaku.

Zafir Berisha, deputet nga Nisma për Kosovën, duke komentuar murin në veri të vendit, ka thënë se përgjegjës për ndërtimin e tij është kryeministri Isa Mustafa, të cilin e quajti edhe gënjeshtar, raporton Ekonomia Online.

“Kërkoj ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë dhe formimin e një komisioni të posaçëm me anëtarët e të gjitha komisioneve në mënyrë që të rishqyrtohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani me Serbinë. E keqja më e madhe e Kosovës janë këto bisedime të cilat i kemi e po vazhdojmë t’i kemi me Serbinë”, ka thënë Berisha.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, tha se gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, ka kërkuar që menjëherë të ndërpriten bisedimet në Bruksel me Serbinë.

“AAK ka kërkesë që të ndërpriten menjëherë bisedimet në Bruksel me Serbinë, gjithashtu kërkesë tjetër është që të ndërpriten punimet dhe të rrënohet muri në Veri, nëse një gjë e tillë nuk ndodh kryeministri Isa Mustafa së bashku me ministren Edita Tahiri duhet të japin dorëheqje”, ka thënë Lekaj.

E zëshme ishte edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se me ndërtimin e murit në veri të vendit, po preket kushtetuta dhe integriteti i vendit.

“Nuk duhet të diskutohet që të mos ketë seancë të veçantë në kuvend. Është e patolerueshme kjo që ka ndodhur, informatat e vetme që I kemi marrë ne si deputet për ndërtimin e këtij muri janë nga mediet. Një ditë përpara ndërtimin ne si komision kemi vizituar atë pjesë dhe nuk arrij të kuptoj se si kryetari i kësaj komune nuk na ka treguar asgjë për ndërtimin e një muri në veri të vendit”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ajo kërkoi edhe nga përfaqësuesit e BE që të sjellin informata të detajuara për të kuptuar se çfarë po ndodh në pjesën veriore të Kosovës në mënyrë që të marrin masa.

Kërkesën për një raportim dhe interpelancë e ka përkrahur edhe kryetari i komisionit për punë të jashtme, Elmi Reçica, i cili tha se raportimi dhe interpelanca janë të pashmangshme por përpos kësaj sipas tij duhet të vijnë të përgatitur me dokumente dhe marrëveshje të BE-së.

“E përkrahu edhe unë kërkesën e juaj që duhet të ketë raportime dhe interpelancë për atë që ndodhi në veri të Mitrovicës. Ne nuk jemi njoftuar se çfarë po ndodh në Veri të vendit. Jam pro asaj që thatë që ata duhet të sjellin edhe dokumente nga marrëveshjet e nënshkruara, në mënyrë që raportimi i tyre të jetë transparent dhe të kuptojmë çfarë realisht është duke ndodhur me dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Reçica.

Po ashtu edhe Bashkimi Evropian po kërkon zgjidhje me palët për çështjen e murit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Zyrtarë të zyrës së unionit në Prishtinë kanë zhvilluar takime me përfaqësues në të dy anët e qytetit të ndarë. Ndërhyrja e Bashkimit Evropian vjen në kohën kur në pjesën veriore të qytetit nisi ndërtimi i një muri të ri, disa muaj pas heqjes së barrierave mbi lumin Ibër dhe kur qeveria po zbaton projektin për parkun e paqes.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit ka deklaruar se veprimet për ngritjen e murit mbi lumin Ibër janë të paligjshme, pasi gjithçka po kryhet pa marrjen e një leje mjedisore. Edhe ministrja për dialog, Edita Tahiri është shprehur se zyrtaret e komunës se Mitrovicës veriore po shkelin ligjin me këtë ndërtim.

Lexo më shumë:

Të ngjashme