Muri nuk preket as këtë muaj

Prishtinë | 17 Jan 2017 | 08:16 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se muri do të rrënohet patjetër deri në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, ai nuk është zotuar se një gjë e tillë do të ndodhë brenda muajit janar siç ishte paraparë, por brenda 1 e 17 shkurtit.

Muri i ndërtuar në veri të Mitrovicës nga serbët nuk do të rrënohet në muajin janar, ashtu siç ishte paraparë në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ndonëse ishte thënë se rrënimi i tij do të bëhej përgjatë këtij muaji, Qeveria e Kosovës nuk ka vendosur ende lidhur me këtë çështje. Të kontaktuar nga “Zëri” përfaqësues të ekzekutivit nuk kanë dhënë detaje lidhur me atë se kur do të rrënohet muri në fjalë.

Nga ana tjetër kryeparlamentari Kadri Veseli, duke mos e përmendur janarin, ka thënë se muri do të rrënohet deri në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt. Kurse, përfaqësuesit serbë në veri kanë ritheksuar se muri është pjesë e dialogut të Brukselit dhe nuk mund të rrënohet me dhunë. E lidhur me këtë çështje, edhe njohësit e çështjeve politike mbeten skeptikë se një gjë e tillë do të realizohet brenda këtij muaji. Pavarësisht kësaj, ata vlerësojnë se muri ndarës i Mitrovicës duhet të largohet domosdo.

Të ngjashme