Muri i ri, i gjatë mbi 50 metra

Prishtinë | 07 Shk 2017 | 08:21 | Nga

Të martën do të fillojë ndërtimi i murit të ri, i cili do të jetë i gjatë mbi 50 metra, prej kafenesë “Dolce Vita” e deri tek “Lagjja e Boshnjakëve”.

Partitë në pushtet e kanë përshëndetur rrënimin e murit në veri të Ibrit, duke thënë se më nuk do të ketë mure në atë pjesë, megjithatë tashmë është e qartë se të martën do të fillojë ndërtimi i murit të ri. Madje kjo është konfirmuar edhe nga kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq dhe nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq. Opozita në anën tjetër thotë se pushteti po manipulon me qytetarët dhe ka kërkuar që të respektohet Rezoluta e Kuvendit, e cila kërkon që në pjesën afër urës së Ibrit të mos ketë ndryshime nga pamja që ka qenë deri në vitin 1998-1999.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se nuk do të ketë më mur në veri të Ibrit dhe se aty do të fillojë realizimi i një projekti të ri sipas ligjeve të Kosovës.

“Mur më nuk do të ketë, ai është rrënuar. Nesër do të ketë një projekt të ri, i cili do të jetë në përputhje me legjislacionin dhe që do të garantojë lëvizjen e lirë”, ka deklaruar Veseli.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve nga njerëzit, që sipas tij e shohin vetëm karrigen dhe të cilët paguajnë çdo çmim vetëm për të qenë në pushtet. Veseli ka “thumbuar” deputetin e “Vetëvendosjes”, Albin Kurtin, (i cili aktualisht është në Norvegji), duke thënë se dikush ka menduar që po bëhet luftë dhe është larguar nga Kosova.

“Mos lejoni manipulime nga njerëzit që e shohin vetëm karrigen dhe që paguajnë çdo çmim për të qenë në pushtet, ata nuk ia duan të mirën Kosovës. Edhe disa që kanë ikur që u frikësuan se do të bëhet lufta le të kthehen në Kosovë, mos të tuten, sepse këtu duhet të qëndrosh edhe kur është mirë edhe kur është keq”, është shprehur Veseli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme