Murtezaj: Kemi një klimë të terrorit, duhet të jemi vigjilentë

Prishtinë | 25 Kor 2016 | 19:28 | Nga

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj ka folur për ngjarjen e fundit tragjike në Mynih të Gjermanisë, ku kanë vdekur nëntë persona, mes tyre edhe tre shqiptarë.

“Kësaj radhe ishte ndryshe ngaqë për herë të parë, dikush nga Kosova kanë qenë në mesin e viktimave. Këto vitet e fundit kemi hyrë në një bote tjetër për fat të keq në një botë të pasigurisë”.

Ai ka thënë se pasiguria në botë është rritur, kohë kjo që sipas tij kërkon që masat e sigurisë të rriten.

“Vetëm ditëve të fundit, nëse flasim për Nice kemi 84 të vdekur, pastaj sulmi në Mynih , sulmi me sëpatë edhe në Baghdad me dhjetëra e qindra të vrarë në tren etj”, ka thënë Murtezaj, në “InfoMagazine” të Klan Kosovës.

“Tani kemi një klimë të terrorit, motivet mund të jenë nga më të ndryshmet, megjithatë peshën kryesore të fajit duhet ta vëmë tek grupet terroriste ngaqë kanë krijuar një frymë terroriste duke bërë thirrje nga më johumanët”.

“Meqenëse po jetojmë në kohëra plotësisht të ndryshme nga koha jonë, aspektet e sigurisë duhet të jenë në fokus”.

Myrtezaj është shprehur se nuk ka munguar gatishmëria nga institucionet e Kosovës në asnjë moment dhe se gjithçka ka qenë në koordinim me konsullatën dhe ambasadën e Kosovës dhe institucionet gjermane.

Ai ka thënë se fotografia e babait të Diamant Zabërgjës që shkoi me një tufë lulesh në vendngjarje është diçka ikonike.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme ka thënë se këta vrasës dhe personat që kryejnë sulme të tilla nuk kanë asnjë identitet përveç kriminelit.

Myrtezaj ka thënë se të gjithë tani duhet të jenë më të vëmendshëm dhe të shkëmbejnë informacione me institucionet e sigurisë.

“Kosova ka fatin e përbashkët me Evropën, ajo çka ndodh në Gjermani ndodh edhe në Kosovë e për këtë arsye duhet të kemi bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së”.

Sipas tij, ndonëse nuk ka pasur indikacione direkte për sulme terroriste në Kosovës, kjo nuk do të thotë që  nuk duhet të ketë vigjilencë më të rritur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme