Murtezaj: Kufijtë etnikë s’janë të pranueshëm në Evropën e sotme

Prishtinë | 17 Pri 2019 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj, ka thënë se kufijtë etnikë nuk janë të pranueshëm në Europën e ditëve të sotme.

“Çfarëdolloj vizatimi ose ridelimitimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë paraqet një rrezik jashtëzakonisht të madh”, ka thënë Murtezaj në Klan Kosova.

“Kosova duhet t’i ketë vijat e veta. Në këtë fazë është po ashtu shumë e rëndësishme që vendi t’i ketë idetë dhe propozimet e qarta për procesin e dialogut”.

Murtezaj, i cili është edhe profesor universitar në Francë, ka thënë se ky shtet e përkrah dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në idenë për korrigjimin e kufijve, ndarjen e Kosovës, varësisht si e quajmë, Franca nuk ka qenë më e zëshmja. Por, qëndrimet franceze dihen: Nëse të dy palët pajtohen dhe nëse çfarëdo marrëveshje ratifikohet në dy parlamentet, për ata do të ishte e pranueshme”.

Ai ka folur edhe për Samitin e Berlinit që do të mbahet më 29 prill, ku do të marrin pjesë Kosova dhe Serbia.

“Po flasim për dy protagonistët kryesorë të Europës, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. Ata po bëhen bashkë për të dhënë disa mesazhe, integrimin e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Europian dhe dialogu do të jenë në fokus”.

“Procesi i dialogut është lidhur nyje, dikush duhet të zgjidh ose ta pres këtë nyje. Nuk pritet ndonjë ngjarje spektakulare, por mesazhet duhet të jenë të qarta”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme