Murtezaj: Serbia s’ka interes ta përmbyllë dialogun, ka dilema a të shkojë me Rusinë apo me BE-të

Prishtinë | 13 Qer 2019 | 19:25 | Nga Ekonomia Online

Pas Samitit të Berlinit, Samiti i Parisit që pritet të mbledhë delegacionin e Kosovës dhe atë të Serbisë është paralajmëruar për datën 1 korrik.

Por, shumëkush po dyshon se ky samit mund të mos mbahet për shkak të qëndrimeve krejt të kundërta të Kosovës dhe Serbisë për taksën.

Megjithatë, profesori universitar në Paris, Valon Murtezaj, thotë se nuk ka shenja që ky samit mund të dështojë.

“Ndoshta nuk është gjëja më e mirë që të parashikohet ose të flitet se a do të mbahet ose jo Samiti i Parisit. Derisa ne po flasim, të gjitha përpjekjet e dy organizatorëve – Berlinit dhe Parisit – janë duke shkuar në atë drejtim dhe nuk ka asnjë shenjë më të vogël që një samit i tillë nuk do të mbahet”.

“Po flasim për një iniciativë, ndoshta ndër më të fuqishmet që nga viti 1999, duke pasë parasysh edhe kontekstin aktual të organizimit dhe të udhëheqjes së Bashkimit Europian. Po flasim për një iniciativë të ndërmarrë nga dy liderët më të fuqishëm [kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron] të dy shteteve më të fuqishme të BE-së”.

“Në këtë kontekst, dialogu Kosovë-Serbi bëhet për dy arsye. E para për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të tejkaluar problemet , çështjet dhe konfliktet e mbetura dhe e dyta për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian”.

“Prandaj, pesha e këtij samiti dhe atij të Berlinit më 29 prill është e madhe sepse po flasim për kancelaren Angela Merkel dhe presidentin Emmanuel Macron”.

Murtezaj në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se problemi kryesor është të mosdisponimi i Serbisë në procesin e dialogut me Kosovën.

“Qeveria e Serbisë deri tani, për fat të keq të vetin, tonin dhe gjithë rajonit, nuk ka shprehur ndonjë gatishmëri ose vullnet të sinqertë për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Serbia ka dilema të mëdha, qoftë në sjellje që janë evidente, por edhe në sjellje në prapaskena me gjithë ambicien për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe kjo është fundamenti i problemit”.

Por, a janë të vetëdijshëm dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Europian – Franca dhe Gjermania – për rolin destruktiv të Serbisë në këtë proces?

“Nuk është çështja vetëm të alokohet përgjegjësia dhe faji sepse në atë mënyrë nuk mund të ecet përpara. Mirëpo, arsyetimi i Qeverisë së Serbisë se pa u hequr taksa nuk shkojnë në dialog është një arsye totalisht e paarsyeshme”.

“Ka probleme të tjera që janë shumë më madhore se sa taksa dhe që janë pjesë e temave të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”.

Murtezaj ka deklaruar se Serbia nuk është e interesuar t’i japë fund procesit të dialogut me Kosovën për shkak se akoma nuk është e përcaktuar a është me Rusinë apo Bashkimin Europian.

“Mendimi im i bazuar në sjelljet e Qeverisë së Serbisë në disa vjetët e fundit, sidomos në procesin e dialogut, është se Serbia nuk ka interesim për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën”.

“Ka dilema të mëdha në orientimet strategjike. Luajtja me dy karta, me Rusinë dhe BE-në, nuk funksionon”.

“Sado vonë që do të përcaktohet, kurdo qoftë momenti që Qeveria e Serbisë do të përcaktohet se a do të shkoje më Rusinë apo do të bëhet pjesë e familjes europiane aty do të jetë momenti kur do të zgjidhen edhe çështjet me Kosovën”.

A ka Franca një pozicion të qartë se si duhet të dizajnohet marrëveshja përfundimtare që mbyll të gjithë çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë?

“Për çdo ditë e më shumë në dy-tre vjetët e fundit po shohim politikë të përbashkët franko-gjermane në shumë aspekte, sidomos me çështjet që kanë të bëjnë me Europën, por edhe përtej Europës”.

“Po shohim një diplomaci të përbashkët. Jam i sigurt se të dyja shtetet, Franca dhe Gjermania, do të kenë një politikë të njëjtë me dialogun Kosovë-Serbi”.

“Iniciativa e përbashkët që besoj që natyrisht që nuk është zëvendësim i procesit të Brukselit është një shtytje dhe ndihmesë jashtëzakonisht e madhe për BE-në sepse po flasim për dy shtyllat kryesore të BE-së”.

“Ju e keni dëgjuar edhe deklaratën e Matthew Palmer, natyrisht që kjo ju takon të dy palëve – Kosovës dhe Serbisë, por ka edhe diçka ndërmjet kësaj”.

“Nuk do të ndodhin dy gjëra. Nuk do të ndodhë që Europa të mos jetë e koordinuar me SHBA-të. Po ashtu, nuk mund të bëjnë gjithë çfarë duan këto dy vende, pra nuk do të mund të kemi çfarëdolloj marrëveshje sepse ajo marrëveshje do të duhej të jetë në kuadër të vlerave evropiane”.

Profesori universitar në Paris ka treguar edhe nëse Franca pranon ndryshime kufijsh në Ballkan apo ka vija të kuqe mbi këtë çështje.

“Kjo si ide ka pësuar ndryshime. Para disa muajsh kanë qenë qëndrimet e Francës që ‘nëse dy parlamentet e ratifikojnë marrëveshjen, atëherë pse jo’. Pas Samitit të Berlinit më 29 prill, situata është ndryshe nga ajo që ka qenë para asaj date”.

“Besoj se qëndrimet e kancelares [Angela] Merkel dhe presidentit [Emmanuel] Macron lidhur me secilën çështje në dialogun Kosovë-Serbi janë të harmonizuara. Natyrisht, në ndërkohë ka shumë konsultime sepse ka vizita të zyrtarëve të lartë të Gjermanisë dhe Francës në Beograd dhe Prishtinë. Natyrisht ka konsultime me Washingtonin”.

Ai është shprehur i bindur se taksa nuk do të pësojë asnjë ndryshim deri në Samitin e Parisit.

“Samiti i Parisit është udhëkryqi kur do të dihet se a do të kemi diçka të re – a do të kemi ndonjë proces fundamentalisht të ri që do të ishte një drite në fund të tunelit në kuptimin pozitiv për procesin e dialogut apo nëse nuk ka diçka të tillë do të mund të ketë një proces të normalizimit që mund të zgjasë me muaj dhe vite”.

Murtezaj ka ripërsëritur se Samiti i Parisit është një iniciativë shumë serioze.

“Të gjitha këto iniciativa nuk janë aq të thjeshta se si ne ndonjëherë mund t’i shkojmë ne nga Ballkani sepse te në shumë gjëra ndodhin të pakoordinuara. Po flasim për nivelin më të lartë, pra nuk po flasim për takime të zyrtarëve të niveleve të ulëta”.

“Nuk hynë në iniciativa të tilla pa pasë seriozitet. Nëse jo për diçka tjetër, ka aq shumë çështje problematike që janë të përfshira Qeveria e Francës dhe ajo e Gjermanisë sa që nuk kanë kohë për të humbur”.

“Prandaj, duhet ta konsiderojmë si iniciativë tepër serioze. Në këtë format dhe në këtë Europë nuk ka nivel më të lartë”.

“Ne nuk do të presim që më 1 korrik gjërat do të zgjidhen, por do të marrin një drejtim. Nuk duhet të harrojmë që gjërat varen shumë nga të dy palët dhe pala e Beogradit nuk ka shprehur interesim sepse çfarëdo lloj hapi që merr, sipas pikëpamjes së tyre të prapambetur, shkon në njohjen e Kosovës”.

Të ngjashme