Musa: Gjykata Kushtetuese do të vendos pro formimit të qeverisë së re – kjo është arsyeja

Prishtinë | 21 Maj 2020 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve juridike, Skender Musa, po shprehet i bindur se Gjykata Kushtetuese do të vendos në favor të dekretit të presidentit Thaçi për formimin e qeverisë së re.

Në një bisedë për Gazeta Blic, Musa thotë se në praktikën ndërkombëtare e sidomos në vendet BE-së, njihet praktika e humbjes së shumicë së një qeverie dhe formimit të një shumice tjetër.

“Ne besojmë se vendim do të jetë në favor të formimit të qeverisë së re në bazë të dekretit të Presidentit sepse edhe në praktikën ndërkombëtare e sidomos në vendet BE-së, njihet praktika e humbjes së shumicë së një qeverie dhe formimit të një shumice tjetër. Në bazë të vendimit që i referohet qeveria në dorëheqje, ai vendim përcakton vetëm zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës i cili duhet të propozohet nga partia apo koalicioni i cili ka fituar shumicën, por nuk e specifikon zgjedhjen e qeverisë|, ka thënë Musa.

“Madje në bazë të këtij vendim në atë kohë është krijuar Qeveria e dertuar nga Isa Musatafa edhe pse nuk ka qenë parti fituese e zgjedhjeve. Por në rastin konkret si çështje më delikate paraqitet mos deklarimi i LVV-së, mirëpo në takim me Presidentin përfaqësuesi i kësaj partie është deklaruar se është kundër formimit të qeverisë dhe për zgjedhje të re, dhe në anën tjetër nuk mund të mbahet pezull në afat të pa caktuar ofrimi i një zgjedhje, duke pas parasysh se zgjedhjet nuk mund të mbahen në kohë të pandemisë”, shtoi ai.

Skender Musa thotë se cilido që të jetë vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ai duhet të respektohet nga të gjithë akterët politikë.

“Megjithatë është mirë të pritet vendimi i gjykatës dhe ai vendim pa asnjë dyshim duhet të respektohet nga të gjithë, sepse gjykata nuk ndikohet nga as një opinion i juristëve apo i analistëve ose ish gjyqtareve, sepse vetëm Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët që janë caktuar për këtë çështje janë kompetent”, ka thënë avokati Musa.

Në fund, Avokati Musa, ka lavdëruar punën e Gjykatës Kushtetuese ndër vite, duke thënë se puna e tyre është vlerësuar si nga ana e ekspertëve vendorë, po ashtu edhe nga ata ndërkombëtar.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është institucioni më i besueshëm dhe deri tash ka tregu profesionalizëm dhe objektivitet në çdo kërkesë që i është parashtruar dhe me rastin e vendosjes ka vendosur drejt dhe vendimet e sajë kanë janë çmuar nga ekspert vendor dhe ndërkombëtar, prandaj unë jam i sigurt që vendimi i saj do të jetë i drejt”, ka përfunduar Musa.

Gjykata Kushtetuese pritet të dalë me qëndrim deri me datën 29 maj.

Aty pritet të merret vendimi se a do të mund të formohet qeveria e re pa zgjedhje apo vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Të ngjashme