Mushkolaj: Në politikën kosovare, rrena është kthyer në rregull

Prishtinë | 09 Pri 2017 | 09:22 | Nga

Imer Mushkolaj ka identifikuar filozofinë që i shquan politikanët kosovarë. Ka thënë të jetë filozofi e rrenës ajo.

Mushkolaj është publicist dhe kryetar i Këshillit të Mediave të Shkruara. Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ai ka gjykuar se rrena është kthyer në rregull, e jo përjashtim në politikën kosovare, pasi ka konsideruar se politikanët e kanë kuptuar që mund të funksionojnë në këtë mënyrë.

Për ta ka thënë të veprojnë sipas parimit “rrej sa të mundesh, se diçka do të mbetet”.

“Rrena, e jo mbajtja e fjalës, me pak përjashtime, është kthyer në parimin kryesor të qeverisjes në Kosovë”, ka thënë ai. “Krijohet përshtypja se elektorati kosovar sa më e madhe të jetë rrena, aq më shumë i beson”.

Ai veçmas ka folur për njeriun me fuqinë më të madhe politike në Kosovë në dekadën e fundit – presidentin Hashim Thaçi. Për kreun e shtetit ka theksuar ta ketë gënjeshtrën mënyrë të funksionimit, mënyrë të qeverisjes, e edhe mënyrë të jetesës. Ka thënë se, të tillë e ka pasur edhe gjatë kohës sa ka qenë kryeministër e edhe tash si president.

Mushkolaj është pyetur se, nëse është kështu, si interpretohet mbështetja elektorale që ai ka siguruar. Ai ka theksuar se Thaçi dhe PDK-ja të cilën e ka drejtuar deri para një viti, ia kanë dalë të krijojnë një qeverisje klienteliste, duke dhënë poste e privilegje në këmbim të votës. Kjo, sipas tij, ka bërë që njerëzit që kanë përfituar nga kjo mënyrë e qeverisjes, t’ua besojnë votën vazhdimisht.

Sipas Mushkolajt, në një shtet të varfër, me qytetarë të varfër e të pashpresë, çdo premtim që bëhet shihet si një dritë në fund të tunelit. Në këtë kuptim, ka theksuar se, edhe nëse këto premtime nuk përmbushen, sërish qytetarët kanë shpresë se “do të përmbushen ndonjëherë”, andaj ka thënë se vazhdojnë t’iu besojnë rrenave.(KohaDitore)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme